Zyrtari Policor Arrestohet për Drogë

Në orët e mbrëmjes është arrestuar në veri të vendit një zyrtar policor nën dyshimet për narkotikë.

Lajmin e bëri të ditur për KALLXO.com Besim Hoti zëvendësdrejtor i policisë për Rajonin e Veriut.

Përveç zyrtarit policor, në aksionin antidrogë është arrestuar edhe një person tjetër.

“Dy persona janë arrestuar nga Drejtoria Antidrogë në Veri të Mitrovicës. Personat janë arrestuar për narkotikë. Njëri nga dy personat është zyrtar policor. U mbetet organeve të hetojnë se për sa masë narkotike bëhet fjalë”, tha Besim Hoti për KALLXO.com.

Ndërsa, Daut Hoxha, zëdhënësi i Policisë së Kosovës tregoi se si u arrestua njëri nga pjesëtarët e forcave të rendit.

“Policia e Kosovës bazuar në informacionet që i posedonte ka ndaluar një veturë të dyshimtë me targa vendore. Gjatë realizimit të procedurave të kontrollit në veturë është gjetur edhe një sasi e substancës narkotike”, tha Hoxha.

Ai njoftoi se pasi është arrestuar një zyrtar policor, të gjitha veprimet do të ndërmerren në konsultim me Inspektoratin Policor.

“Dy persona janë arrestuar lidhur me këtë rast dhe pasi që njëri nga te dyshuarit është pjesëtar i Policisë së Kosovës, të gjitha veprimet do të ndërmerren në konsultim me Inspektoratin e Policisë dhe prokurorin kompetent”,tha Hoxha.

Ai deklaroi se kushdo që shkel ligjin do të përballet me masa rigoroze, pavarësisht çfarë pozite ka.

“Policia është e përkushtuar që pavarësisht nga roli dhe funksioni që individët mund të kenë, kushdo që bie ndesh me ligjin do të përballet me masa rigoroze ligjore”, tha zëdhënësi Hoxha.

Vitin e kaluar në Rubrikën “Policia” të emisionit “Drejtësia në Kosovë” ishin shfaqur pamjet e arrestimit të një polici nën dyshimin për bartjen e marijuanës.

http://kallxo.com/aksioni-arrestimi-policit-per-transport-marijuane/