Zyrtari i Akuzuar Mungon në Seancë

Gjyqtari Nikollë Komani tha se i akuzuari Hoti mungon për shkaqe shëndetësore.

“Në gjykatë me datë 15.04.2016 e ka dorëzuar parashtresën me të cilën ka kërkuar shtyrjen e shqyrtimit kryesor për shkak të gjendjes shëndetësore dhe kësaj parashtrese i ka bashkangjitur edhe raportin mjekësor,” tha gjyqtari Nikollë Komani.

Për gjendjen e të mbrojturit të tij foli edhe avokati Teki Bokshi.

“Ai është në gjendje të keqe shëndetësore dhe nëse gjykata dyshon mund ta dërgojë në verifikim nëpërmjet policisë,”tha Bokshi.

Gjyqtari Komani tregoi se kur do të zhvillohet seanca e shtyrë sot.

“Me datën njëzet e tetë prill e vazhdojmë procesin gjyqësor në orën 13:00”, tha gjykatësi Komani.

Hoti akuzohet nga Prokuroria Themelore e Gjakovës për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe autoritetit, ngase sipas aktakuzës futi persona privatë në listën e pagesave të energjisë elektrike me para të komunës.

“Nga tetori i vitit 2010 e gjer më datën 22.04.2014 në Rahovec duke qenë në pozitën e personit zyrtar për paga dhe pagesa në Kuvendin Komunal të Rahovecit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete ka futur në faturat e pagesave të rrymës së Komunës së Rahovecit në emër të shfrytëzuesit privat Gani Gashi, ashtu që me këto veprime të kundërligjshme ka dëmtuar buxhetin e Komunës së Rahovecit në shumë të përgjithshme prej gjithsej 2 mijë e 371.90 eurove”.