Gjykimi i dy zyrtarëve të AKP-së | Foto: KALLXO.com

Zyrtari i AKP-së: Gjendem në Gjykatë nga Komploti ndaj Meje

Dy zyrtarët e AKP-së të akuzuar për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim detyre dhanë dëshminë  e tyre në gjykatë.

Zyrtari i AKP-së, Fevzi Hajdari tha se gjendet në gjykatore pasi që ndaj tij ishte bërë një skemë e organizuar mirë dhe një komplot.

“Në kohën kur Ramush Misini po më kërkonte të takohej, kam qenë kandidati potencial për drejtor ekzekutiv në AKP dhe nga deklarata edhe e dëshmitarit Ramush Misinit mund të kuptohet se në të njëjtën kohë ai takonte në ATK edhe së paku dy konkurrentë të mi dhe kur bashkohen këto dy elemente formohet hakmarrja dhe pengimi i avancimit në pozitë ishte motivi kryesor i këtij organizmi kriminal ndaj meje”, tha Hajdari.

Ramush Misini është i dëmtuari i këtij procesi gjyqësor.

Në një seancë të mëparshme Misini kishte thënë se i ishin kërkuar 20 mijë euro për ta shlyer borxhin prej 517 mijë euro që kishte në ATK, një pronë e blerë nga djali i tij prej Agjencisë së Kosovës për Privatizim.

http://kallxo.com/deshmitari-kerkuan-20-mije-euro-per-regjistrim-te-prones/

Por Behar Ejupi, avokati i të akuzuarit tjetër Taulant Tahirsylajt kur e pyeti Fevzi Hajdarin se a i i kishte kërkuar paratë nga Misini, Hajdari e mohoi këtë.

“Jo, asnjëherë nuk i kam kërkuar hua, ato të holla më janë dhënë në formë të huadhënies”, tha i akuzuari Hajdari.

Kur dha në prill të këtij viti versionin e tij të zhvillimeve për të cilat akuzohet, Fevzi Hajdari tregoi se me insistim të Ramush Misinit kishte shkuar në Administratën Tatimore të Kosovës për t’u interesuar rreth pronës së paregjistruar të Misinit.

http://kallxo.com/zyrtari-akp-se-rrefen-per-arrestimin-e-tij/

Edhe këtë herë Hajdari e pranoi se kishte shkuar në ATK, por këtë tha se e kishte bërë për ta mbajtur fjalën e dhënë ndaj Misinit.

Hajdari më tutje deklaroi se që në fillim e dinte se problemi i Misinit nuk ka zgjidhje në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Hajdari mohoi se e ka dërguar të dëmtuarin te i akuzuari tjetër i këtij procesi Taulant Tahirsylaj.

Pas Hajdarit, seanca vazhdoi me marrjen në pyetje të Tahirsylajt.

Edhe Tahirsylaj e mohoi se Hajdari e dërgoi Misiinin te ai, por e pranoi se ishte takuar me të dëmtuarin.

“Takimi ka qenë shumë i shkurtër dhe asnjëherë nuk kemi biseduar për para dhe më ka thënë që ka një problem me ATK dhe asgjë tjetër”, tha i akuzuari.

Tahirsylaj shpjegoi para trupit gjykues se si rodhi ngjarja deri te takimi me Ramush Misinin.

“Kam pranuar nje telefonatë nga ai dhe më ka thënë që është një i njohur i Fevzi Hajdarit. Ka kërkuar takim urgjent me mua dhe e kam takuar. Më ka thirrë dhe më ka treguar që ka një problem në ATK. Unë i kam thënë që unë nuk punoj në ATK dhe i kam thënë kthehu nga ke ardhur”, deklaroi Tahirsylaj.

Sipas aktakuzës, Hajdari dhe Tahirsylaj si persona zyrtarë në AKP me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për ta shlyer borxhin në Administratën Tatimore të Kosovës prej 517 mijë eurove për pronën që dëshironte ta regjistronte Ramush Misini, keqpërdorën detyrën duke ia kërkuar atij 20 mijë euro.