Betimi në Kuvend nga ish Qeveria Haradinaj | Foto: Atdhe Mulla

Zyrtarët Europianë i Kujtojnë Haradinajt Kushtet për Integrim

Donald Tusk e Jean-Claude Juncker, drejtues të Këshillit dhe Komisionit Europian, teksa ia kanë uruar Ramush Haradinajt Zgjedhjen kryeministër, i kanë kujtuar atij edhe kushtet që duhet të plotësojë Kosova për përparim në rrugën europiane.

Tusk e Juncker në urimin e përbashkët kanë konfirmuar edhe një herë perspektivën europiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor “me kusht që vendi i interesuar plotëson të gjitha kushtet, ruan raporte të mira me fqinjët e tij dhe zgjidh dallimet me anë të mjeteve paqësore”.

Sipas komunikatës së lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, zyrtarët e lartë europianë i kanë kushtuar rëndësi edhe dialogut me Serbinë.

“Normalizimi i mëtejshëm i raporteve me Serbinë nëpërmjet dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura deri më tani mbetet një kusht për Kosovën që të avancojë në rrugën e saj për integrim në BE”, thuhet në urimin e Tusk dhe Juncker.

Europianët më tutje i dëshirojnë Haradinajt që në kohën e qeverisjes së tij kosovarët ta fitojnë të drejtën e udhëtimit pa viza, por ia vënë në dukje edhe dy kushtet për liberalizim.

“Shpresojmë që qeveria juaj merr mundësinë për udhëtim pa viza për qytetarët tuaj në Bashkimin Europian duke i përmbushur dy kërkesat e mbetura – demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe historikun solid në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, vijon urimi.

Haradinaj në vendimin e tij të parë si kryeministër shkarkoi Komisionin për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi, ndërsa më pas emëroi një komision tjetër.

Që nga nisja e drejtimit të qeverisë, Haradinaj vazhdimisht ka deklaruar se kufiri mes Kosovës e Malit të Zi është në Kullë e Çakorr, pika që nuk janë përfshirë brenda territorit të Kosovës me marrëveshjen e 26 gushtit 2015 për demarkacionin.

Por kur vizitoi Tiranën, Kryeministri shqiptar Edi Rama deklaroi se Haradinajt i duhet edhe pak kohë ta ndryshoë pozicionin opozitar për demarkacionin, një deklaratë që Kryeministri i Kosovës e përcolli vetëm më buzëqeshje.

http://kallxo.com/rama-beson-se-haradinaj-te-ndahet-nga-pozicioni-per-demarkacionin/

Në fund Tusk e Juncker konfirmuan vazhdimin e bashkëpunimit të BE-së me Kosovën.

“BE-ja është e gatshme që të vazhdojë mbështetjen për Kosovën në Agjendën e Reformave Europiane, përfshirë në fushat e sundimit të ligjit, ekonomisë, arsimit dhe administratës publike”, thuhet në porositë dhe urimin e zyrtarëve europianë për Haradinajn.

Në mbledhjen e qeverisë të zhvilluar të premten, Haradinaj shkarkoi 10 anëtarë të bordeve të drejtorëve të ndërmarrjeve publike, shkarkimin e të cilëve e kishte rekomanduar Agjencia Kundër Korrupsionit.

Me Agjendën e Reformave Europiane qeveria duhet që të zbatojë të gjitha rekomandimet e Agjencisë Kundër Korrupsionit.