Gjykata e Apelit - Foto: KALLXO.com

Zyrtarët e Komunës së Drenasit Kërkojnë Pafajësinë në Apel

Dy zyrtarët e Komunës së Drenasit, Hyrije Xhemajlaj- Thaçi dhe Halim Vrellaku, kanë bërë ankesë në Gjykatën e Apelit ndaj aktgjykimit të Gjykatës Themelore, e cila i kishte dënuar lidhur me një mbindërtim në Drenas.

Gjykata e instancës së parë Hyrije Xhemajlaj- Thaçin e kishte dënuar me 10 muaj burgim, ndërsa Halim Vrellakut i kishte shqiptuar burgim me kusht prej 1 viti.

Në ankesën që ata kanë ushtruar thuhet se aktgjykimi i marrë nga Gjykata Themelore është i pakuptueshëm dhe tejet i mangët.

Sipas kësaj ankese, Gjykata nuk e ka bërë në mënyrë të duhur dhe të qartë vlerësimin e provave dhe deklarimin e palëve në procedurë për të vërtetuar se me veprimet e të akuzuarve janë formuluar elementet qenësore të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ndër të tjera, në ankesën e drejtuar nga avokati i Hyrije Xhemajlaj-Thaçit, Gazmend Halilaj, thuhet se nuk janë përmbushur as për së afërmi elementet e veprës penale për të cilën është gjykuar e mbrojtura e tij nga Gjykata Themelore.

“E mbrojtura ime në cilësinë e personit zyrtar nuk ka dëmtuar apo favorizuar pa ligj askënd dhe nga veprimet apo mosveprimet e saj nuk i ka sjellë vetës e as personit tjetër kurrfarë dobie pasurore”, thuhet në ankesën e drejtuar nga avokati Halilaj.

Hyrije Xhemajlaj- Thaçi në kohën për të cilën akuzohet ishte drejtoreshë e Inspektoratit Komunal të Drenasit dhe Halim Vrellaku kryente detyrën e shefit të Inspektoratit në këtë komunë.

I kontaktuar nga KALLXO.com, avokati i Hyrije Xhemajlaj-Thaçit tha se ata i kanë paraqitur argumentet e tyre para kolegjit të gjyqtareve të Gjykatës së Apelit dhe presin që ky kolegj të nxjerrë një vendim të drejtë.

“Ne i paraqitem argumentet tona me të cilat jemi të bindur që Gjykata e Apelit do të nxjerrë aktgjykim të drejtë me të cilin do të ndryshojë aktgjykimin e shkallës së parë dhe do të vendosë në mënyrë meritore, duke e shpallur të pafajshme të mbrojturën time nga të gjitha pikat e aktakuzës”, tha për KALLXO.com avokati Gazmend Halilaj.

http://kallxo.com/denohen-zyrtaret-per-mbindertimin-ne-drenas/

Të akuzuar për këtë rast kanë qenë edhe biznesmeni Izet Kukaj, të cilin Gjykata e kishte liruar nga aktakuza,  si dhe Musli Ademi, banor i këtij kompleksi për të cilin prokurori kishte hequr dorë nga ndjekja penale.

Sipas aktakuzës, Izet Kukaj, pronari i kompanisë “Elita-A” gjatë qershorit të vitit 2013 në bllokun banesor numër V në Drenas pa leje dhe në mënyrë të kundërligjshme ndërtoi një kat në nënkulm me gjithsej 14 banesa që kishin sipërfaqe 1.800 metra katrorë.

Aktakuza precizonte se 13 nga këto banesa Izet Kukaj i ka shitur në shumën prej 252 mijë eurove, ndërsa njërën nga to e ka ndalur për vete.

Sipas aktakuzës, njërën nga banesat e mbindërtimit ilegal në objektin banesor të Drenasit e bleu vëllai i të akuzuarës Hyrije Xhemajlaj-Thaçi që në atë kohë udhëhiqte Drejtorinë e Inspektimit.

KALLXO.com e ka ndjekur vazhdimisht këtë gjykim.