Gjykimi i zyrtarë të AKP-së | Foto: KALLXO.com

Zyrtarët e AKP-së Kërkojnë të Shpallen të Pafajshëm

Në fjalën e tyre përfundimtare, Fevzi Hajdari dhe Taulant Tahirsylaj të akuzuar për ryshfet, kanë kërkuar nga gjykata që të shpallen të pafajshëm.

“Besoj në drejtësi dhe qëndroj pranë fjalës përfundimtare”, tha Tahirsylaj, derisa Hajdari kërkoi e luti që “[gjykata]të më japë drejtësinë e duhur e të më shpallë të pafajshëm, sepse unë nuk kam bërë asgjë të keqe ndaj askujt, as ndaj ndonjë personi apo institucioni”.

Përkundër bindjes së tyre, prokurorja e rastit Dulina Hamiti kërkoi nga gjykata që dy zyrtarët e AKP-së t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit.

Prokurorja Hamiti tha se në mënyrë bindëse janë vërtetuar faktet se dy zyrtarët e Agjencisë Kosovare të Privatizimit kanë pranuar shumën prej 15.000 eurove prej të dëmtuarit Ramush Misini, me qëllim që t’ia heqin barrën tatimore për paluajtshmërinë të cilën e kishte blerë djali i Misinit.

Prokurorja përmendi si vërtetim të aktakuzës edhe një komunikim mes dy të akuzuarve në kohën kur njëri prej tyre ishte burgosur.

“Gjithashtu duke vepruar në bashkëkryerje kanë kontakuar në ditën kritike përmes SMS-së kur i pandehuri Tahirsylaj e pyet të akuzuarin Hajdari dhe Fevziu i tregon se ka ra në burg dhe e pyet se a është serioze, i akuzuari Hajdari i thotë ‘po, me fakt’”, shtoi prokurorja Hamiti.

Dy avokatët mbrojtës të të akuzuarve, ndryshe nga prokurorja kërkuan lirimin e të mbrojturve të tyre.

“Besueshëm është vërtetuar se Hajdari nuk kishte vepruar në kuadër të autorizimeve të tija që në bazë të kontratës së punës i kishte në AKP. Nuk kishte bërë asnjë veprim të palejueshëm as brenda autoritetit të AKP-së, e as të ndonjë organi të saj”, tha avokati i Hajdarit, Ramë Gashi.

Avokati Gashi shtoi se i dëmtuari Misini e dinte se problemi i tij zgjidhej në Administratën Tatimore të Kosovës.

“I pyetur se a keni ditur se për çështjen e tatimit duhet t’i drejtoheni ATK është përgjigjur ‘normal ATK- së, se problemi zgjidhet te ATK- ja. E ka ditur se Hajdari nuk punonte në ATK dhe se po ashtu nga AKP kishte dy shkresa me përgjigje konkrete se AKP- ja nuk zgjidh problemin e tij, këto fakte janë në favor të qëndrimit të mbrojtjes për sa i përket kualifikimit juridik të veprave penale të aktakuzës”, theksoi Gashi.

Ndërsa, avokati Behar Ejupi shprehu bindjen se gjykata do t’i lirojë të akuzuarit.

“Unë besoj se aktakuza do të ketë fatin edhe të dy aktakuzave të ngritura më parë për të njëjtat vepra penale të nënshkruara po nga prokurorja e njëjtë, e të cilat aktakuza nuk kanë kaluar nga ana e trupit gjykues, ku në të dy këto aktakuza kemi aktgjykime lirues”, tha Ejupi.

Procesi ndaj dy zyrtarëve të AKP-së u zvarrit për një kohë, pasi katër senaca të këtij gjykimi u shtynë. Në tri prej tyre mungoi prokurorja, derisa në njërën kryetari i trupit gjykues.

Në seancën e radhës do të bëhet shpallja e aktgjykimit.

Sipas aktakuzës, Hajdari dhe Tahirsylaj si persona zyrtarë në AKP me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për ta shlyer borxhin në Administratën Tatimore të Kosovës prej 517 mijë eurove për pronën që dëshironte ta regjistronte Ramush Misini, keqpërdorën detyrën duke ia kërkuar atij 20 mijë euro.

KALLXO,com e ka ndjekur vazhdimisht këtë proces gjyqësor.