Oliver Ivanoviq | Foto: BETA

Zyrtare: Vdes Oliver Ivanoviq

Lideri i SDP Oliver Ivanoviq ka vdekur në spitalin në veriun e Mitrovicës.

Lajmi është konfirmuar nga kryeprokurori Shyqeri Syla.

“Është vrarë me katër plumba para selisë së partisë së tij në Mitrovicë të Veriut. Vdekja është konstatuar në spital”, tha Syla.

Oliver Ivanoviq u lind në Pejë më 1 prill 1953. Ai u bë kadet në Akademinë Ushtarake të Zagrebit nga ku u kthye në Kosovë dhe u diplomua në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Mitrovicë

Para luftës ishte president i Klubit të Karatesë “Trepça” në Mitrovicë ndërsa aktivitetin politik e nisi, në vitin 1999, me një kërkesë nga “Rojat e Urës”, të cilët e ftuan Ivanoviqin për t’i trajnuar si mjeshtër i karatesë.

Në 1999 u bë anëtar i Këshillit Kombëtar Serb, SNV, e më vonë president i bordit ekzekutiv.

U shkarkua pas dy viteve kur u bënte thirrje serbëve të Kosovës të merrnin pjesë në zgjedhjet në Kosovë.

Në vitin 2001, ai nisi krijimin e Trupit Koordinues, organizata zyrtare e qeverisë serbe ndërsa atë vit u zgjodh deputet i Kuvendit të Kosovës nga 2001- 2004 nga koalicioni “Kthimi”.

Oliver Ivanoviq ishte lider i Partisë “Liri, Demokraci, Drejtësi”.

Në vitin 2008 Ivanoviq u bë Sekretar i shtetit në Ministrinë Serbe për Kosovën ndërsa në vitin 2013 kandidoi për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut.

Ivanoviq u arrestua në vitin 2014 për krime lufte në vitin 1999 dhe 2000 në Mitrovicë si i akuzuar për vrasje, dëmtim prone dhe dëbim të shqiptarëve nga veriu i Mitrovicës

Sa ishte në paraburgim, ai hyri në grevë urie në kërkim të mbrojtjes në liri.

Dëshmitarët thanë së gjatë luftës e kanë parë me uniformë dhe të armatosur.

Ivanoviq u dënua për krime lufte të kryera në vitin 1999 me 9 vjet burg ndërsa më vonë rasti ndaj tij është kthyer në rigjykim.