OJQ-së “Thirrjet e Nënave” – Foto: Facebook

Zyre e Re për Organizatën ‘Thirrjet e Nënave’

Kryetarja e Komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila ka marrë pjesë në hapjen e zyrës së re të organizatës ”Thirrjet e Nënave”, të cilën e ka siguruar institucioni që e drejton ajo.

Me këtë rast, Mimoza Kusari – Lila tha para nënave se për të është obligim institucional, por edhe moral e njerëzor që të jetë afër atyre që kanë pësuar më së shumti dhe afër familjarëve të të rënëve, të cilët me gjakun e tyre vunë themelet e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Kryetarja e Gjakovës tha më tutje se çështja e të pagjeturve vazhdon të mbetet ende një plagë e hapur edhe pas 18 vjetëve dhe për këtë të gjithë duhet të angazhohen e të punojnë në mënyrë që kjo çështje të mbyllet njëherë e përgjithmonë.

Ndërsa, kryetarja e OJQ-së “Thirrjet e Nënave”, Nysrete Kumnova e ka falënderuar kryetaren Kusari – Lila dhe Komunën e Gjakovës për ndihmën dhe kontributin e vazhdueshëm që e kanë dhënë në përkrahjen e kësaj organizate për kryerjen në mënyrë sa më efikase të misionit të vet të shenjtë – zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.