Zyra e Kryeministrit e Blen 890 Euro Një iPhone 7

Ky telefon është një ndër telefonat e mençur më të shtrenjtë që qarkullon në treg.
Zyra e Kryeministri nuk ka dhënë detaje se për kënd është blerë ky telefon.

“Kabineti i Kryeministrit”, është përgjigja e Qeverisë në pyetjen se kush do ta shfrytëzoj këtë telefon.

KALLXO.com ka dërguar pyetje shtesë duke pyetur direkt nëse telefoni i fjalës do të shfrytëzohet nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. KALLXO.com është në pritje të përgjigjeve nga Zyra e Kryeministrit.

Përveç Isa Mustafës si kryeministër, në Zyrën e Kryeministrit janë edhe tre zëvendës kryeministra: Hajredin Kuçi, Ramiz Kelmendi dhe Branimir Stojanoviq. Gjithashtu, në Zyrën e Kryeministrit bëjnë pjesë këshilltarët e kryeministrit dhe ata të zëvendëskryeministrave.

Për këtë tender, të iniciuar më 28 mars të këtij viti,është aplikuar procedura e mbyllur. Kjo zyre kishte arritur në afat rekord t’i pranojë ofertat. Tri oferta i ka pranuar, të cilat janë hapur në të njëjtën ditë, pra më 28 mars. Ndërsa, të nesërmen (me datën 29 mars 2017) është bërë nënshkrimi i kontratës. E njoftimi për nënshkrim të kontratës është publikuar disa ditë më vonë në ueb-faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit, përkatësisht me datën 6 prill.

Kryeministri Isa Mustafa dhe zv.kryeministri Ramiz Kelmendi; Foto:kryeministri-ks.com

Kompania që e ka fituar tenderin për të furnizuar me telefon kabinetin e Kryeministrit është “City Computers”.

Në anën tjetër, Kreu i Qeverisë, Isa Mustafa dhe kabineti qeveritarë kanë folur disa herë për kursimin e parasë publike.

Në shkurt të këtij vitit, Ministri i Financave, Avdullah Hoti kishte shkruar në Facebook se shpenzimet për mallra dhe shërbime kishin rënë me 17.8% ose prej 660 mijë euro.

“Shpenzimet për paga dhe mëditje janë rritur me 0.6%, ato për mallra dhe shërbime kanë rënë me 17.8% (që është një kursim prej 660 mijë euro)”, kishte shkruar ministri Hoti.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për blerjet luksoze që institucionet publike kanë shpenzuar, duke blerë telefona, vetura, orë dore etj.

Blerja e fundit e raportuar është ajo e Ministrisë së Integrimeve, të cilët kanë shpenzuar 1,210 euro për blerjen e dy telefonave, iPhone 6 plus dhe Black Berry.

http://kallxo.com/ministria-e-integrimit-shpenzon-1210-euro-per-dy-telefona/