Arkiv: Kryeministri i ri, Ramush Haradinaj pranon detyrën nga ish-kryeministri Isa Mustafa - Foto: ZKM

Zyra e Haradinajt Demanton Lajmin për Blerje të Inventarit të Ri

Zyra e kryeministrit Haradinaj ka reaguar ndaj një informacioni të publikuar në media të ndryshme, sipas të cilave zyra e paraardhësit të tij, Isa Mustafa, do i shesë pajisjet dhe inventarin dhe se Zyra e kryeministrit të ri do të blejë të reja.

“Pajisjet dhe inventari që janë në shpallje publike, nuk i takojnë kabinetit të deritanishëm të ish-kryeministrit Isa Mustafa dhe nuk qëndron pohimi se do të blihen orendi të reja nga kryeministri Ramush Haradinaj”, njofton Zyra e Kryeministrit.

Zyra e Kryeministrit ka sqaruar se shpallja publike për shitjen e inventarit të dalë jashtë përdorimit me numër reference SH01/2017, është proceduar ditë më parë nga ana e Zyrës së Prokurimit, duke respektuar çdo procedurë ligjore, dhe duke e publikuar në KRPP konform legjislacionit.

Më tej, aty thuhet se inventari dhe pajisjet e TI-së të cilat do të nxirren në ankand janë jashtë përdorimit muaj dhe vite më parë dhe janë të dëmtuara tërësisht.

“Më qëllim që vlera e tyre të mos bjerë, apo që mos të dëmtohen akoma më shumë, menaxhmenti i ZKM-së kohë më parë ka vendosur t’i shes përmes ankandit publik me qëllim që të kemi transparencë dhe vlerë sa më të lartë të ofertave”, thuhet në reagimin e Zyrës së kryeministrit Haradinaj.