Sami Kurteshi e Zenun Pajaziti - Foto: KALLXO.com

‘Zverdhen’ Vijat e Kuqe të Vetëvendosjes Karshi PDK-së

Vijat e kuqe të Lëvizjes Vetëvendosje karshi PDK-së kanë filluar të “zverdhen”.

Ndonëse drejtuesit e VV-së kanë paralajmëruar me forcë disa herë se nuk do të bëjnë koalicion me PDK-në, një deklaratë ndryshe e ka dhënë kandidati i këtij subjekti për kryetar të Gjilanit, Sami Kurteshi.

Në emisionin “Rubikon” të KTV-së, Kurteshi, i cili është në balotazh për kryetar të Gjilanit me Lutfi Hazirin e LDK-së, tha dje se Vetëvendosje nuk ka vija të kuqe për asnjë subjekt politik në Gjilan.

“Në Gjilan jo, s’ka me pasë vijë të kuqe për askënd, as për PD-në, as për AAK-në e AKR-në”, ka thënë Kurteshi dje në Rubikon të KTV-së, kur u pyet nëse ka Vetëvendosje vijë të kuqe për PDK-në.

Pra, kjo deklaratë e Kurteshit është krejtësisht e kundërt me atë të ish-kryetarit të VV-së, Albin Kurti.

Ai në një intervistë të dhënë për “Gazetën Jeta në Kosovë” në fund të muajit gusht, kishte deklaruar se Vetëvendosje nuk do të bëjë koalicion me PDK-në në asnjë komunë në Kosovë.

“Nuk do të bëjmë koalicion me PDK-në. Kush është i ndershëm brenda PDK-së e ka derën e hapur tek ne, por koalicion me atë subjekt nuk do të bëjmë”, kishte thënë Albin Kurti në intervistën për “Gazetën Jeta në Kosovë”.

Albin Kurti: Gjërat që na Bashkojnë e na Ndajnë me LDK-në

Lëvizja Vetëvendosje në Gjilan do të ballafaqohet në balotazh me LDK-në, e cila ka dalë e para në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 22 tetor.

Zyrtarisht ende  nuk ka asnjë koalicion ndërmjet partive politike në Gjilan.