ZRRE 'Qorton' KOSTT-in për Energjinë Elektrike

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), sipas një njoftimi ka pranuar ankesa të shumta nga konsumatorët se KEDS-i po ndërpren energjinë elektrike me kërkesë të KOSTT-it.

Sipas njoftimit, me 29 dhjetor të vitit të kaluar, ZRRE ka dërguar një letër zyrtare te të gjithë akterët e sektorit të energjisë elektrike lidhur me situatën energjetike në vend.

“Në këtë letër, ZRRE ka kërkuar nga të licencuarit që të angazhohen maksimalisht në mbarëvajtjen e operimit të sistemit me qëllim që të shmangen reduktimet e energjisë, përveç në rastet kur rrezikohet siguria e sistemit”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.

Sipas tyre edhe përkundër letrës, KOSTT ka filluar të japë urdhëresa për reduktime të energjisë elektrike duke mos respektuar udhëzimet e ZRRE-së.

“ZRRE edhe përkundër që kupton situatën e rëndë nëpër të cilën është duke kaluar sektori i energjisë dhe KOSTT, konstaton se veprimet e tilla të KOSTT, për reduktimet e energjisë elektrike, janë në kundërshtim me rregullat e ZRRE, vendimet e Bordit dhe kërkesat tjera ligjore për furnizim të rregullt dhe pa ndërprerje me energji elektrike për të gjithë konsumatorët”, thuhet në njoftim.

Gjatë ditës së sotme Zyra e Rregullatorit për Energji, përmes një letre ka kërkuar përsëri nga KOSTT-i që të ndërpriten menjëherë reduktimet e energjisë elektrike, përveç në rastet kur rrezikohet siguria e sistemit.

Sipas njoftimit nëse një gjë e tillë nuk zbatohet nga ana KOSTT-it, ZRRE do të zbatoj dispozitat ligjore  të Rregullës mbi Masat Administrative dhe Gjobat.

“Me këtë rast ZRRE shpreh keqardhje ndaj konsumatorëve të energjisë për reduktimet e aplikuara dhe kërkon nga ata që të kenë mirëkuptim dhe të përpiqen të kursejnë energjinë elektrike deri në normalizimin e furnizimit të rregullt me energji”, thuhet në fund të njoftimit të ZRRE-së.

Gjatë ditës së sotme para se të filloj mbledhja e 37 e Qeverisë së Kosovës, Kryeministri Ramush Haradinaj, shprehu shqetësimin në lidhje me reduktimet e energjisë elektrike në disa vende të Kosovës.

Sipas tij, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka duhet të punojë dhe të shikojë se cilat janë problemet që vijnë deri tek ky reduktim.

http://kallxo.com/haradinaj-shqetesuar-nga-nderprerja-e-rrymes/