Printscreen: TV ALSAT-M

Zoran Zaev Përgjaket nga Protestuesit

E plotësuar 19:41

Lideri i social-demokratëve të Maqedonisë, pretendent për kryeministër të vendit, ZoranZaev, është sulmuar nga protestuesit brenda ndërtesës së Kuvendit.

Në pamjet e transmetuara nga TV ALSAT-M, Zaev është parë i përgjakur nga goditjet e protestuesve.

Maqedonia Zgjedh Kryeparlamentar Shqiptar, Protestuesit Futen në Kuvend

Situata në Shkup ka eskaluar sot pasdite kur protestuesit- mbështetës të VMRO-së së Nikola Gruevskit u futën brenda ndërtesës së Kuvendit të Maqedonisë sapo deputetët e shumicës parlamentare votuan në favor të kandidaturës së Talat Xhaferit për postin e kryetarit të Kuvendit.

Maqedonia është duke përjetuar krizë politike që pas zgjedhjeve të dhjetorit të vitit të kaluar, pasi që partia më e votuar, VMRO e Nikola Gruevskit nuk arriti t’i marrë votat e mjaftueshme për ta bërë qeverinë ndërsa Presidenti Gjorgji Ivanov ka bllokuar mandatimin e Zoran Zaevit të LSDM-së për kryeministër me arsyetim se platforma e partive shqiptare, pjesëmarrëse në koalicionin me LSDM, është hartuar në Shqipëri.

Aktualisht deputetët po qëndrojnë të ngujuar në mjediset e Kuvendit ndërsa protestuesit janë vendosur në sallën e seancave duke brohoritur kundër votimit të sotëm.

Në një moment protestuesit janë futur edhe në sallën ku po qëndronin deputetët dhe kanë sulmuar personat që ndodheshin aty, përfshirë deputetët e gazetarët.

Në një deklaratë për televizionin ALSAT-M, i sapozgjedhuri në postin e kryetarit të Kuvendit, Xhaferi, tha se situata nuk është serioze.

“Qytetarët duhet të jenë të durueshëm. Nuk ka diçka serioze brenda Kuvendit”, tha ai.