Zjarri Përfshin 11 Makina në Prishtinë

Një zjarr që shpërtheu sot në orët e hershme të Mëngjesit në lagjen “Dardania” të Prishtinës, sipas policisë,  përfshiu 11 makina.

Zjarri ndodhi në një parking afër Rrugës “Lekë Dukagjini” në orën 3 e 35 të mëngjesit.

“Sipas hetimit fillestar dyshohet se nga ndezja e mbeturinave është shkaktuar zjarri, i cili  ka përfshirë 11 automjete,  4 prej të cilave janë dëmtuar pothuajse tërësisht,” sqaroi policia në një informatë të sajën.

Policia bëri me dije se zjarri është lokalizuar në orën 4 e 35 të mëngjesit, ndërsa policia është duke e hetuar atë.

Të kontaktuar nga KALLXO.com disa banorë që jetojnë afër vendit ku shpërtheu zjarri, nuk deshën të flasin për këtë ngjarje.

Ata, sikurse edhe policia, vetëm konfirmuan që zjarri që përfshiu makinat erdhi nga kontejnerët e bërllokut.