Foto: Ilustrim

Zjarri në Bibliotekën Kombëtare, Dëmtohen botimet Pas Viteve ‘90

Mjediset e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë u përfshinë nga flakët rreth orës 10:40 të mëngjesit të së mërkurës, ndërkohë që tymi i zjarrit shpërtheu në një hapësirë të katit të dytë të fondeve të bibliotekës.

Stafi i Bibliotekës Kombëtare u evakuua, ndërsa një nga punonjësit që shfaqi probleme me frymëmarrjen mori ndihmën mjekësore dhe nuk ka dëme serioze.

Në një deklaratë për shtyp, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani sqaroi se ndonëse librat e përfshirë nga flakët nuk ishin të dixhitalizuar, besohet se pjesa më e madhe e tyre qenë botime të pas viteve  ’90 dhe dëmet sipas saj do të jenë të rikuperueshme.

“Nuk rezulton të jenë prekur mjediset ku ruhen vlerat e rralla dhe arkivi shqip i fondeve të bibliotekës kombëtare dhe as baza elektronike e të dhënave kombëtare të bibliotekës,” tha Asllani.

Vlerat e rralla dhe arkivi shqip i Bibliotekës Kombëtare përfshijnë botime me vlera të veçanta për pasurinë e shkruar të shqiptarëve, duke filluar nga botimet e para në gjuhën shqipe (shek. XVI) deri në ditët tona.

Ato përbëhet nga antikuari, dorëshkrimet dhe hartat.

Koleksioni i antikuarit, që përbëhet nga 2449 vepra të rralla të botuara në shekujt XV-XVIII, përfshin edhe veprat e para në gjuhën shqipe të Gjon Buzukut, Pjetër Budit, Pjetër Bogdanit, Frang Bardhit dhe të Jul Varibobës si dhe veprat në latinisht të humanistëve shqiptarë Marin Barleti, Marin Beçikemi dhe Dhimitër Frangu.

Libri më i vjetër i këtij koleksioni është vepra e papës Piu II “Epistolae de Conventu Mantvano”, botuar në Milano në vitin 1473.

Fondi i Dorëshkrimeve përbëhet nga 1189 vepra të shkruara me dorë kryesisht në gjuhët orientale (arabisht, osmanisht dhe persisht), shumica e të cilave janë kopjuar nga kaligrafë të specializuar në Shkodër, Berat, Elbasan, Tiranë etj. Dorëshkrimet orientale kanë përmbajtje fetare, juridike, historike, gjuhësore e letrare, si dhe një pjesë e të cilave me të dhëna për historinë e Shqipërisë dhe të qyteteve të saj.

Sipas informacionit të BKSH, koleksioni përmban një numër të vogël dorëshkrimesh shqip me alfabet grek, ku veçohet ndër të tjera Kodiku i Beratit i shek. XVIII.

Në Fondin e Hartave, Biblioteka ka 54 të tilla të cilat i takojnë shekujve XVI-XVIII dhe janë përpiluar nga hartografë europianë më në zë të kohës. Hartat e rralla kanë vlerë të posaçme për trojet shqiptare e më gjerë dhe janë burim informacioni me të dhëna të shumta historike, etnografike, gjuhësore, gjeologjike.

Sipas inventarit të kryer deri më 4 janar 2017, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë ka gjithsej në fondet e saj 1.195.340 materiale bibliotekare si libra, periodikë, harta, atlase, mikrofilma e materiale të tjera.

Autoritetet po vazhdojnë punën për shuar plotësisht zjarrin dhe për të identifikuar shkaqet e tij, si dhe dëmet e shkaktuara në Bibliotekën Kombëtare.