Foto- MASHT

Zilja e Parë në Shkollë të Re

Fillimin e vitit të ri shkollor nxënësit e fshatit Duhël të Suharekës do ta presin në një shkollë të re.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka zgjedhur ditën e parë të mësimit për të përuruar projektin e shkollës fillore ‘Sadri Duhla’  në fshatin Duhël të Komunës së Suharekës.

Me rastin e vizitës në këtë fshat,  ministri në largim, Bajrami ka uruar nxënësit për kthimin në bankat shkollore.

Sipas njoftimit të MASht, ministri është zotuar për investime të tjera në infrastrukturë të arsimit.

“ Përmirësimi i infrastrukturës shkollore do të jetë gjithmon në agjendë të Ministrisë, krahas zhvillimit të segmenteve tjera të arsimit”, tha Bajrami.

Në vazhdën e vizitave të shkollave, ministri ishte edhe në shkollën fillore ‘Avdyl Frashëri’ në Prizren ku edhe bëri shpërndarjen simbolike të abetarëve për fëmijët e klasave të para.

Ai cilësoi Komunën e Prizrenit si një komunë shembullore në ngritjen e cilësisë së arsimit në vend.

“Jemi duke punuar në realizmin e ngritjes së cilësisë dhe Komuna e Prizrenit është një prej shembujve më të mirë. Pasuria e kësaj komune është edhe diversiteti etnik”, deklaroi  i Bajrami.

Shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës sivjet kanë hapur dyert për më shumë se 350 mijë nxënës të arsimit parauniversitar.