Publikimi i QKSS-së | Foto: KALLXO.com

Zhvendosja në Internet e Fushëbetejave të ISIS-it

Platformat online janë shfrytëzuar mjaft shumë për propagandë me qëllim të bindjes së individëve të ndryshëm, sidomos të rinjve, për t’i mbështetur grupet e ndryshme luftuese në Siri e Irak.

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), publikoi sot raportin “Fushëbetejat e Reja, Aktiviteti i Grupeve Ekstreme në Rrjetet Sociale në Kosovë, Shqipëri dhe IRJM”.

Massimiliano Prozzo nga Zyra e BE-së në Kosovë, tha se rrjetet që kanë përdorur terroristët, janë mjete që përbëjnë kërcënim.

“Duhet të gjejmë një mënyrë për të luftuar këtë dukuri. Gjatë muajve të ardhshëm do të kemi një projekt në lidhje me ekstremizmin në Ballkan. Kemi aktivitete konkrete për këtë komponentë”, tha Prozzo.

Ai tregoi se kundër propagandës së grupeve terroriste në internet duhet vepruar në dy drejtime.

“Ka dy sfida me të cilat po ballafaqohemi, ngritja e  informatave nga ana e agjencisë së inteligjencës dhe aspekti i dytë duhet të punojmë shumë ngushtë me Bashkësinë Islame. Të përpiqemi t’u tregojmë udhëheqësve fetarë për rrjetet sociale”, tha Prozzo.

Udhëheqësi i Ekipit të projektit të financuar nga ana e BE-së, Ian McDonald, tha se duhet krijuar mjete për monitorimin e radikalizmit.

“Është shumë me rëndësi të hartojmë një strategji që ta monitorojmë këtë gjë. Nga pikëpamja e Kosovës na duhet të krijojmë mjete që të monitorojmë radikalizmin. Në qoftë se mund të mësojmë se cilat janë temat lokale të radikalizmit dhe ne mund t’i përdorim ato njohuri për t’u treguar njerëzve çfarë është radikalizmi”, tha McDonald.

Hulumtuesja e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Vesa Kelmendi, foli për pikat kryesore të këtij raporti.

“Arsyeja qe kemi bo edhe një raport është, pasi që nga fillimi i konfliktit dhe marrjes pjesë në Siri e Irak është pa nevoja që këto grupe kanë përdorur kampanja te ndryshme për qëllimet e tyre. Një nga arsyet e grupeve kryesore, janë platformat online. Ne gjatë këtij hulumtimi kemi gjetur edhe persona që nuk kanë qenë pjesë e luftërave në Irak e Siri por me anë të rrjeteve sociale kanë bërë propagandë”, tha Kelmendi.

Ajo shtoi se hartimi i këtij raporti ka zgjatur nga dhjetori i vitit të kaluar e deri në qershor të këtij viti.

“Ka ndodhur edhe analiza individuale, kemi hasur që një person ka pasur 2-3 rrjete sociale nga kjo kemi nxjerrë se personi ka pasur më shumë ndjekës dhe nga kjo më pas ka filluar propagandën”, shtoi ajo.

Hulumtuesi tjetër, Shpat Balaj, tha se rrjetet sociale kanë ndihmuar që lajmi për vdekjen e Lavdrim Muhaxhirit të bëjë bujë në rrjete sociale.

“Ne kemi arritur që të gjejmë profile që kanë përkrahur atë që ka bërë Lavdrim Muhaxheri”, tha ai.

Në raport thuhet se profilet individuale të ekstremistëve të dhunshëm mbështetjen më të madhe e kanë për imamët e dënuar për vepra terroriste lidhur me rekrutimin e pjesëmarrësve në Kosovë, Shqipëri dhe IRJM.

Po ashtu, gjithnjë sipas raportit, QKSS-ja ka kërkuar nga Prokuroria e Kosovës dokumentacionet për individët të cilët janë akuzuar për vepra penale si pjesëmarrje dhe rekrutim në organizata si ISIS dhe të tjera.

Në raport thuhet se të akuzuarit për pjesëmarrje në luftën e Sirisë dhe Irakut komunikimin kryesisht e kanë zhvilluar nëpërmjet aplikacioneve  ‘chat’ në rrjetin social Facebook si dhe me numra të ndryshëm të operatorëve të telefonisë mobile në Kosovë Vala dhe IPKO.

Komunikimi mes tyre ka ndodhur me nofka të ndryshme.

Sipas QKSS-së, platformat më të përdorura të grupeve ekstremiste janë Facebook, Telegram dhe Youtube.

KALLXO.com ka shkruar vazhdimisht për gjykimet në lidhje me terrorizmin dhe rekrutimin për të.

http://kallxo.com/shtyhet-gjykimi-per-pergatitjen-e-sulmeve-ndaj-futbollisteve-te-izraelit/

http://kallxo.com/denohet-zeqirja-qazimi/