Halit Barani - Foto: KALLXO.com

Zhgënjimi i Dëshmitarëve të Hagës

Siç tregoi hulumtimi i transmetuar nga emisioni “Drejtësia në Kosovë”, dëshmitarët e Tribunalit të Hagës janë të zhgënjyer me institucionet vendore sa i përket zbardhjes së krimeve të luftës.

Ata që kishin dhënë dëshmitë e tyre ne Tribunal tregojnë se krahasuar me krimet që janë kryer gjatë viteve 1998-99 ndaj popullatës civile, është bërë pak si nga drejtësia ndërkombëtare ashtu edhe ajo vendore.

“Krahasuar me krimet që janë kryer është bërë shumë pak. Po të kishim pasë prokuror të mirëfilltë ne do t`i kishim hetuar vet dhe jo të prisnim nga të tjerët që t`i zbardhin krimet e kryera. Vetëm në regjionin e Mitrovicës kemi ofruar të dhëna për qindra krime të kryera dhe nuk është bërë asgjë”, ka thënë Halit Barani, i cili ka dëshmuar në Hagë kundër Sllobodan Millosheviqit.

Mahmut Halimi, dëshmitar tjetër i Hagës, siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, ka thënë se nevoja që prokurorët vendas të merren me ato çka nuk është marrë Haga është e domosdoshme.

“Besoj që po të ktheheshin ato lëndë do të kishte pas edhe kapacitete, resurse të mjaftueshme edhe profesionist të cilët do të ishin ballafaquar me to, sepse pa rreziqe, pa sakrifica, guxim, pa këmbëngulësi nuk ka suksese”, ka thënë Halimi.

Se në dosjet që ndodhen në Hagë ka dëshmi që mund të shërbejnë për prokurorët vendorë, e tregon edhe dëshmitari tjetër i Hagës, Sabit Kadriu.

“Ka materiale shumë, jam i bindur që të gjitha Këshillat për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut kanë ofruar materiale të mjaftueshme për të akuzuar të gjithë ata që kanë kryer krime”, ka thënë Kadriu.

Emisionin “Drejtësia në Kosovë” mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: