Droga e kapur në Llakatund të Vlorës. Foto kortezi: Policia e Shtetit

Zhduket i Dyshuari për Trafikimin e 5 Tonelatave Kanabis

Pak orë pasi Gjykata e Apelit në Vlorë riktheu masën arrest me burg për Rakip Arapaj, 58 vjeçarin e dyshuar si poseduesi i sasisë prej 5 ton hashash që u gjet në banesën e vëllait të tij të ndjerë në fshatin Llakatund të Vlorës, policia bëri me dije se nuk kishte mundur ta gjente të akuzuarin dhe se tani e kishte shpallur atë në kërkim.

Drejtues të Policisë së Vlorës i thanë BIRN se Arapaj, i cili nuk ka marrë pjesë në asnjë nga seancat në ngarkim të tij pasi sipas avokatit po i nënshtrohej një operacioni në sy, nuk u gjend në banesë.

Ai ishte arrestuar pas një operacioni antikanabis të policisë në Llakatund të Vlorës në 14 korrik të këtij viti. Prokuroria e akuzoi atë si pronar të 5.2 tonëve kanabis, nga 15 që u sekuestruan në total në fshat gjatë aksionit.

Por të shtatë personat që u arrestuan gjatë operacionit përfshi Arapaj, duke përdorur si alibi faktin që droga u gjet në shtëpi që nuk banoheshin, u liruan nga Gjykata e Shkallës së Parë. Në rastin e Arapaj lirimi u argumentua nga gjykatësi Arqile Basho, më 10 tetor, me faktin se sipas tij prokuroria kishte shfaqur mungesë vullneti për të hetuar, ndërsa vendosi të zbuste masën e sigurimit, duke caktuar një garanci me vlerë 1 milion lekë dhe sekustrim pasaporte, duke iu referuar “gjendjes shëndetësore  të rëndë dhe në faktin që në rezultatet e akteve të ekspertimit  të realizuara (tërësisht ), nuk kanë rezultuar gjurmë të personit nën hetim”.

Droga u gjet në shtëpinë e vëllait të vdekur të të akuzuarit, fëmijët e të cilit kanë kohë që nuk janë kthyer në Shqipëri, por Arapaj pretendoi se nuk e dinte kush e kishte vendosur drogën aty, megjithëse shtëpia e tij dhe ajo ku u gjet narkotiku kanë të njëjtin oborr dhe hyrje.

Raportimi i gjërë në media i zbutjes së masës së sigurisë të të akuzuarve se zotëronin tonelata drogë, u pasua nga një vendim të Inspektoriatit të KLD-së që njoftoi  më  12 tetor se do kryente  verifikimin e vendimit gjyqësor sa i përket ligjshmërisë së tij.

Ndërkohë Gjykata e Apelit në prishjen e vendimit të Shkallës së Parë thotë se gjeti që “rrethanat dhe nevojat e sigurisë nuk kishin ndryshuar”.  Mbrojtja e të dyshuarit ndërkohë pretendon pafajësi. Ajo ka thënë se dosja në ngarkim të tij nuk ka asnjë provë dhe se koha hetimore prej tre muajsh ka kaluar.

Në një situatë të ngjashme u gjendën pak kohë më parë edhe organet e drejtësisë në Durrës. Pas prishjes prej Apelit të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë që i pati dhënë lirinë të arrestuarit me kërkesë të autoriteteve italiane Alket Hatia, policia nuk qe në gjendje ta riarrestonte.