Zhduken Kravatat nga Rrethojat e Qeverisë, ‘Askush’ Se Di Ku Janë

Kravatat dhe këmishat e veshmbathjet që iu dhuruan sot gjatë ditës Kryeministrit Haradinaj dhe që u vendosën para objektit të qeverisë janë larguar menjëherë nga aty dhe “askush se di se ku kanë shkuar”.

KALLXO.com ka parë që në rrethojat e qeverisë nuk gjenden asnjë nga dhuratat që sot iu dhanë kryeministrit.

Këshilltari i Kryeministrit, Halil Matoshi i pyetur nga KALLXO.com se çfarë ka ndodhur me dhuratat e kryeministrit, tha që qeveria nuk merret me pastrimin e shesheve.

“Të drejtën me të thanë, Qeveria e Kosovës nuk merret me pastrimin e qytetit dhe të shesheve të tij. Unë e kam marrë dhuratën, e kam vu, kryeministri s’ka qëllu sot në zyre, ndërkaq kush i ka marrë e ka kanë shku, sigurisht që Qeveria e Kosovës nuk është për pastrim të shesheve”, tha Matoshi për KALLXO.com.

Ai thotë se s’ka qenë kërkesë e qeverisë që ato dhurata të largohen.

KALLXO.com ka biseduar me zëdhënësen e ndërmarrjes publike “Pastrimi”. Arbnora Ademi tha për KALLXO.com se ata nuk janë të obliguar për pastrimin e shesheve dhe sipas saj ata nuk i kanë larguar kravatat nga sheshi.

KALLXO.com ka biseduar edhe me drejtorin e ndërmarrjes publike “Hortikultura”, Isak Rakovica dhe sipas tij ndërmarrja që ai drejton nuk ka larguar kravatat dhe këmishat nga rrethojat e qeverisë

.

Ndërsa zyra për media e Policisë së Prishtinës kanë sqaruar se kompania “Toifor” ka bërë largimin e kravatave dhe këmishave nga rrethoja e qeverisë. Enver Zyberi drejtori i kompanisë Toifor e cila është përgjegjëse për mirëmbajtjen e shesheve i ka thënë KALLXO.com se kompania e tij nuk i ka larguar “dhuratat për kryeministrin”.