Zhbogar i Lumtur që Nuk do të Pyetet më për Vizat

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar, ka thënë se ndjehet i lehtësuar tani kur nuk do t’i përsëritet më pyetja e zakonshme që e ka dëgjuar në takimet e tij me qytetarët dhe zyrtarët e Kosovës për vite me radhë.

Zhbogar ka dalë para gazetarëve bashkë me kryeministrin Isa Mustafa dhe ministrin e Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku për ta ndarë lajmin që e dha BE në Bruksel pak minuta më parë- rekomandimin për liberalizim të vizave.

“Nga dita e parë që kam ardhur në Kosovë kam marrë pyetjen e njëjtë se kur mund të bëhet liberalizimi i vizave. Jam i lumtur se liberalizimi po ndodh”, tha Zhbogar.

“Ky vendim tregon që BE kujdeset për Kosovën. Izolimit të Kosovës po i vjen fundi dhe shpresoj që ta kemi një Kosovë ku mund të jetohet në paqe dhe prosperitet”, u shpreh ai.

Zhbogar u shpreh se tani proceduralisht, për heqjen komplete të masës së vizave pritet të vendosë Këshilli Evropian dhe parlamenti Evropian, por nuk dha ndonjë datë të përafërt se kur mund të merren këto vendime.

Nga ana e tij, kryeministri Mustafa, e vlerësoi vendimin e sotëm të marrë në Bruksel.

“Për ne sot është një ditë e madhe sepse rekomandimi për liberlaizimin e vizave  është shumë i rëndësishëm”, tha ai.

Ndërsa për ministrin Çollaku, rekomandimi për heqjen e vizave vjen “si rezultat i punës serioze e jo si dhuratë nga Bashkimi Evropian”.

“Edhe pse na është dashur të presim shumë gjatë, durimi ynë po shpërblehet në mënyrën më meritore të mundshme. Kërkojmë durim dhe mirëkuptim nga qytetarët ashtu siç kanë treguar deri më sot”, tha Çollaku.