Ministri në detyrë në takim me banorët protestues | Foto: KALLXO.com

Zharku Premton Zgjidhje për Qasje në Magjistrale

Banorët e fshatrave Qyshk dhe Pavlan sërish kanë protestuar për plotësimin e kërkesave për qasje me të lehtë në Magjistralen Pejë-Prishtinë.

Për të biseduar rreth shqetësimeve të banorëve erdhën edhe ministri në detyrë i Infrastrukturës Lutfi Zhaku dhe kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri, të cilët thanë se kanë ardhur për të gjetur një zgjidhje.

Sali Çeku,në emër të këshillit organizativ të protestuesve tha së nëse plotësohen kërkesat e banorëve do ndalen edhe protestat.

“Na dy-tre varante i kemi dëgjuar qysh po bëhet, edhe na kemi deshtë ketë variantin tanë që e ka shprehur krejt komuniteti qysh me bo. Na duam me marrë premtimin e juaj, nëse ju na premtoni që kanë mu plotësuar kërkesat tona, na s’kemi me bërë protesta ma edhe kemi me qenë shumë paqësorë”, tha Çeku.

Protestuesit në lidhje me projektin e Magjistrales Prishtinë-Pejë kërkojnë rrugë pa barriera, qasje të mjaftueshme për hyrje- dalje, zvogëlim të shpejtësisë dhe trotuare me brez sigurie për këmbësorë.

Ata zhvilluan sot një takim me ministrin në detyrë të Infrastrukturës Lutfi Zharkun dhe kryetarin e Pejës Gazmend Muhaxherin.

Pas takimit, ministri në detyrë Lutfi Zharku, tha se bashkë me banorët brenda 10 ditëve do gjendet një zgjidhje.

“Shqyrtohen gjitha kërkesat, komisioni varet nga bashkëpunimi me banorët, cilat janë kërkesat, cilat munden mu plotësuar. Unë besoj që po, megjithatë mos të themi përpara,” tha Zharku.

Blerim Sinanaj, përfaqësues i bizneseve tha se nga ministri në detyrë dhe kryetari morënm premtime se kërkesat do të plotësohen.

Banorët e Qyshkut dhe Pavlanit edhe para pesë ditësh protestuan, duke e bllokuar për disa minuta Magjistralen Prishtinë- Pejë.

http://kallxo.com/banoret-e-dy-fshatrave-protestojne-per-qasje-ne-magjistrale/