Hapësirat e Universitetit të Prishtinës | Foto: KALLXO.com

Zgjidhje Urgjente për UP-në

Të gjithë pajtohen, me ose pa dëshirën e tyre, për rolin vital që Universiteti i Prishtinës e ka në shoqërinë kosovare. E kushdo që e njeh universitetin, e kam fjalën për funksionimin akademik e menaxherial të tij, e di se asnjëherë nuk ka qenë më afër kolapsimit në të dy këto funksione sesa që është sot.

Menaxhimi financiar i UP-së është i bazuar në shpërdorimin e mjeteve financiare për t’u dhënë paga marramendëse profesorëve, që ndonjëherë ia kalojnë edhe pagave të krerëve të shtetit. Me këtë do të pajtoheshim disi sikur të paktën niveli akademik i shumë prej tyre të mos ishte kaq i gjorë siç është sot.

Sa i përket funksionit akademik të tij, Universiteti i Prishtinës në kohën që po flasim e ka prekur fundin. Në vitin e parë të menaxhimit nga rektori Marian Dema, UP ka pasur aq shumë skandale mediale të shpërdorimeve të ndryshme akademike sa po të bëhen bashkë të gjitha skandalet e viteve të para të menaxhmenteve paraprake, nuk ia kalojnë për nga sasia dhe larmia.

Vet rektori Dema, ka punim në revista të dyshimta. Më tepër se kaq, ai ka vetëm 4 punime si autor i parë ose korrespodent çka nuk përkon me titullin që ai mban, atë të profesorit të rregullt. Për këtë titull duhen të paktën 5 punime shkencore të botuara në revista shkencore ndërkombëtare. Rektori Dema i ka vetëm 4 punime, dhe dy nga to në revista që konsiderohen të dyshimta. Sa për ilustrim, një nga revistat e tij, ka bord redaktues të njëjtë me dy revista tjera, një në farmaci e tjetra në algjebër. Kjo, në botën shkencore e akademike konsiderohet skandaloze. Por për rektorin Dema, siç ka thënë tashmë disa herë publikisht: “revista nuk është fallc”. Revista që ka dizajn dhe ngjyra të njëjta të faqes me “revistat” tjera mashtruese në fusha krejt tjera, për rektorin Dema “nuk është fallc”.

Mohimi i ekzistimit të problemit është shenja e parë që ai nuk do të zgjidhet. Rektori dhe prorektorët e tij me mohimin e skandaleve që dalin përditë zi në bardh nuk na lënë rrugë tjetër neve si shoqëri veçse fillimin e një organizimi të ngjashëm me atë të vitit 2014 i cili e çoi në dorëheqje Ibrahim Gashin.

Por çfarë ka ndryshuar në UP me ndërrimin e menaxhmenteve? Hiq atë të rektorit Zejnullahu, i cili për arsye që dihen, nuk arriti të bënte mrekulli, menaxhmentet tjera mund të konkurrojnë në një rreth fort konkurrues mes tyre për çmimin e organizatës Studim Kritikë Veprim (SKV)- “Doctor Corupsionis Causa”- që iu pat dhënë Mujë Rugovës.

Kjo na tregon se ndërrimi i menaxhmentit pa vënë njëherë e përgjithmonë parime të transparencës e llogaridhënies në mënyrë sistematike, vlen pak.

Një koncesion në shkëmbim të një pakoje masash urgjente

Duket se menaxhmenti aktual do të shkojë drejt rënies para përfundimit të këtij viti, mirëpo neve na duhen përmirësime në sistem tash dhe menjëherë. Në këto momente, ne nuk duhet të fokusohemi dhe gjithaq për ndërrimin e menaxhmentit. Konsideroj se mund të mendohet koncesioni ynë si qytetarë aktivë në shkëmbim të  veprimeve të shpejta për dalje nga situata.

Ajo që mund të bëhet nga ana e rektorit të UP-së, Marian Dema, është heqja dorë nga titulli i profesorit të rregullt. Ai do të duhej tashmë vet ta jepte shembullin e heqjes dorë nga titulli jolegjitim. Kjo do të ishte arma më e mirë e tij për t’i ndaluar pastaj të gjitha avancimet e parregullta që pretendohen në procedurat e tashme të avancimit që siç duket do të zgjasin si asnjëherë më parë.

Përveç kësaj, rektori Dema duhet t’i qëndrojë besnik fjalës së tij për funksionalizimin e Këshillit të Etikës në UP duke hartuar sa më parë rregulloren e punës së tij, përmes një konsultimi publik me shoqërinë civile dhe aktorët tjerë të arsimit të lartë në Kosovë.

Përmes këtij këshilli duhet të hetohen të gjitha rastet e mos-justifikimit të titujve. Ata që dyshohen që mbajnë tituj jolegjtimë (derisa Këshilli i Etikës ta thotë fjalën përfundimtare) e që janë në pozita menaxheriale të largohen nga to përmes suspendimit të përkohshëm sapo të nisin procedurat e hetimit etik, ashtu që t’u krijohet hapësirë hetimeve dhe vendimeve të pandikuara të këshillit në fjalë.

Ky do të ishte hapi i parë i rektorit Dema, i cili do të na siguronte se ai me të vërtetë ka ndërmend të punojë për mirëqenien e Universitetit të Prishtinës. Krahas këtij hapi, ai do të duhej që urgjentisht çdo mbledhje të Senatit ta bëjë të hapur për secilin e në veçanti për mediat, siç edhe tashmë kanë kërkuar organizatat e shoqërisë civile dhe studentët të cilët përmes një letre të dërguar në MAShT, në Senat dhe Këshill Drejtues të UP-së kanë shprehur shumë qartë këtë kërkesë.

Avancimet aktuale në procedurë duhet të shihen me llupë. Asnjë kandidat që nuk përmbushë kriteret e statutit nuk guxon të kalojë pavarësisht mendimit të Senatit. Rektori si personi në detyrë që sigurohet për jetësimin e Statutit të Universitetit të Prishtinës nuk duhet ta nënshkruajë asnjë kontratë ilegale, siç dyshohet se ka vepruar në disa raste deri tash, qoftë edhe nëse Senati merr vendim pozitiv për avancim a rekrutim të personave inkompetentë. Fundja, ç’është funksioni i Rektorit? Ai nuk do të duhej ta shihte veten si objekt që vë nënshkrimin në secilin vendim të Senatit, por si subjekt që ushtron funksionin statutar të ruajtjes së vet Statutit të miratuar nga Kuvendi i Republikës.

Krejt këto duhet të ndodhin në mars, paralelisht me organizimin që duhet të fillojë nga ana e shoqërisë civile dhe studentëve e i cili duhet të bëhet gati për një përgjigje konkrete në rast se nuk shihen shenja pozitive nga zyra e rektorit.

Koha ka kaluar. Kohë më nuk ka. Koha na ka shkelur e na ka kapërcyer. Maratonën tonë deri në arritjen e një niveli të tillë që rezultatet si ato të PISA të mos na vendosin në vendin e 3-të nga fundi, duhet ta bëjmë me tempon e vrapimit 100 metërsh. Dhe fjala “lodhje” nuk guxon të dalë nga goja e askujt. Universitetit i Prishtinës është shpresa dhe mundësia e vetme që shoqëria jonë të dalë nga kriza 17 vjeçare politike, ekonomike e shoqërore e cila shoqërinë tonë e ka shndërruar në një shoqëri pa asnjë vlerë morale. Nuk kemi zgjidhje tjetër.

Autori është Drejtor Ekzekutiv i Organizatës për Rritje të Cilësisë në Arsim (ORCA).