Vetëvendosje në Prizren dënon "gjuhën përçarëse dhe fashiste" të Shaqir Totajt - Foto: Facebook

VV Dënon Gjuhën ‘Fashiste’ të Kandidatit të PDK-së në Prizren

Lëvizja Vetëvendosje ka dënuar në një konferencë për media në Prizren gjuhën përçarëse dhe të urretjes të përdorur sipas saj nga kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës, Shaqir Totaj.

VV ka publikuar audio-incizime, në të cilat sipas saj dëgjohet gjuhë “përçarëse dhe fashiste” e Shaqir Totajt dhe ekipit të tij në adresë të kandidatit të Vetëvendosjes për kryetar të Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Në audio-incizime, një zë për të cilin VV thotë se është i Totajt, thotë: “A mendon se dikush tjetër, turqelia që s’din me fol shqip, ka me ardh me ta rregullu çashtjen e ujit e t’rrymës?” dhe “Ka ardhë koha që duhet me menu, që qytetin e Prizrenit edhe Hasin mos me ia lonë në dorë njerëzve që s’dinë me folë shqip.”

“Aludimi është i qartë, ai shpif për kandidatin e Lëvizjes në Prizren, z. Mytaher Haskuka, gjoja se nuk është shqiptar. Pos shpifjes, mesazh i tij shpërfaq një gjuhë të papranueshme të urrejtjes, përçarëse dhe fashiste”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Pasi tregon për veprimtarinë kombëtare shqiptare të familjes Haskuka, Lëvizja Vetëvendosje thekson se Prizreni njihet për një bashkëjetesë tradicionale, “e Shaqir Totaj dhe mendësia e tij e cenon këtë si dhe vlerat demokratike të cilat shoqëria jonë mëton t’i praktikojë e zhvillojë”.

“Luftën e pandershme të kundërshtarëve tanë e konsiderojmë si provincializëm mesjetar që çon në instalim të fashizmave rajonalë”, thuhet më tej në reagim.