Debat Pernime, Vushtrri. Foto: Atdhe Mulla

Vushtrria e Pas 22 Tetorit, Sipas Kandidatëve

Sonte në Debat Pernime, kandidatët për kryetar të Komunës së Vushtrrisë, paraqitën programet e tyre qeverisëse për mandatin e ardhshëm në këtë komunë.

Avdullah Vojvoda, kandidati nga NISMA, tha se kanë një program social demokrat për Komunën e Vushtrrisë.

“Zhvillimi ekonomik është e para. Nisma e Kosovës është e orientimit të majtë me një program social demokrat. Qytetarët kanë nevojë për këtë program. Ne si NISMA e kemi programin shumë të qartë, zhvillimin ekonomik, arsim cilësor, mirëqenie sociale, shëndetësi të mirë, një kulturë rini dhe sport”, tha Vojvoda.

Besim Muzaqi, kandidati nga Vetëvendosje, tha se do të ketë transparencë, e digjitalizim të shërbimeve për qytetarë.

“Ne e kemi përmbledhë qeverisjen lokale në Vushtrri këto vitet e fundit, është një keqqeverisje Pronto në miniaturë. Ne premtojmë transparencë në të gjitha shpenzimet, digjitalizim i shërbimeve, e-kiosi do të funksionalizohet, do të krijojmë një aplikacion e-inspeksioni, që lejon qytetarët të raportojnë parregullsi, shërbime efikase dhe të shpejta në Komunën e Vushtrrisë do të ketë”, tha Muzaqi.

Ferit Idrizi nga Partia Demokratike e Kosovës tha se do të vazhdojnë të punojnë për Vushtrrinë sikurse 10 vitet e fundit.

“ DK dhe unë do të jemi vazhdimësi e qeverisjes së mirë që ka qeverisë për 10 vite të fundit që i ka sjellë infrastrukturë të plotë Vushtrrisë. Në target e kemi zhvillimin komunal dhe diasporën, arsimin, shëndetësinë, turizmin. Fondet do ti marrim nga buxheti i komunës, nga burimet e qeverisë dhe donatorët. Hapja e parkut në lumin e madh, themelimi i institutit të patates, investime në bujqësi, subvencionim në fusha profesionale, përgatitja e të rinjve dhe hapja e bizneseve, harmonizim i profesioneve profesionaleve. Te arsimi kemi menaxhimin e arsimit, do të fillojmë mësimin gjithë ditor”, tha Idrizi.

Lutfi Bilalli kandidati nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se fokus e kanë zhvillimin ekonomik.

“Fokus është zhvillimi ekonomik, arritjen e një marrëveshje me korporata, përkrahje për bizneset e vogla dhe të mesme, pronat komunale do të jenë ne shërbim të investitorëve serioz”, tha Bilalli.

Nasuf Aliu, kandidati nga Aleanca Kosova e Re, tha se programi i tij është i bazuar në sfidat e Vushtrrisë në të kaluarën.

“Vushtrrisë i ka mungu ekip, e ka pas kryetarin por se ka pas menaxher të mirë. Në kuadër të kësaj sfidat qe e presin Vushtrrinë në të ardhmen. Reformimi i administratës, hapja e zyrave të caktuara, ndarja e zhvillimit ekonomik, arsim kualitativ dhe pa politik, shëndetësi me barna esenciale, jetë me kulturë rini të shëndoshë, mjedis të pastër, shërbime cilësore, transparencë dhe llogaridhënie”, tha Aliu.

Xhafer Tahiri kandidati nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se Vushtrria ka nevojë për ndryshim dhe se programi i tij bazohet në 7 shtylla.

“Vushtrria don ndryshim. Nuk do të ketë në Vushtrri koncept me pamflete por me program konkret. Programi im ka 7 shtylla kryesore, treg modern, trajtim të bujqësisë, urbanizëm të zhvilluar, zonë ekonomike me hapësire të veçantë, në arsim kemi de politizim të arsimit, dhe menaxhim cilësor ë arsimit, motivim të mësimdhënësve, shujta ditore për nxënës dhe mësimdhënës. Qendër historike në Vushtrri, tri terrene në Vushtrri, 6 terrene në fshatra, në Shëndetësi kemi parapa, shëndetësi të mirë, qendër të për kujdesit për të moshuarit”, tha Tahiri.