Veseli: Vetëm ‘Koalicioni i Lirisë‘ Mund ta Ndalë Serbinë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka vazhduar të enjten fushatën elektorale në Rahovec, ku ka shpalosur platformën e Fillimit të Ri.

Ai ka thënë se Rahoveci është baza e mendimit filozofik dhe strategjik për Kosovën shtet, i udhëhequr nga Ukshin Hoti.

Veseli ka pohuar se Fillimi i Ri është zgjidhja më e mirë për Rahovecin si qytet i bujqësisë, ndërsa ka premtuar dyfishim të buxhetit për këtë sektor.

“Do të rrisim grantet dhe subvencionet për bujqësi. Do ta dyfishojmë buxhetin për bujqësi. Kjo është e ardhmja jonë, e ardhme e punës”, ka thënë ai.

Lideri i PDK-së ka shtuar se Fillimi i Ri po ashtu do të ofrojë një transformim dhe reformë në sektorin e shëndetësisë dhe në shumë segmente të tjera të jetës.

Ai ka premtuar edhe në Rahovec rritjen e pagave për punonjësit e sektorit publik dhe rritje të pensioneve.

Veseli, më tutje, ka tërhequr vërejtjen se Kosova nuk guxon të dëmtojë marrëdhëniet me miqtë ndërkombëtarë, por duhet që bashkë me ta të punohet më shumë për një shtet krenar.

Ai ka deklaruar edhe se Serbia çdo ditë mendon ta shkatërrojë shtetin e Kosovës. Dhe, sipas tij, është vetëm koalicioni i lirisë, siç e ka quajtur ai koalicionin PDK-AAK-Nisma, që mund ta ndalë.

Ndërsa, në Drenas, bartësi i listës së koalicionit PDK-AAK-Nisma, u ka bërë thirrje qytetarëve të dalin masovikisht në zgjedhje, të votojnë, si gjithherë, PDK-në dhe kandidatët e qytetit të tyre, të cilët ai i ka konsideruar njerëz të lirisë dhe pavarësisë.

“Për 18 vjet, Drenica dhe Drenasi e kanë mbajtur PDK-në partinë më të fuqishme në Kosovë. Kjo do të vazhdojë edhe pas 11 qershorit”, theksoi Veseli.

“Kosovës sot i duhet zhvillim i shpejtë ekonomik, fuqizim i sipërmarrësve, investime në sektorin e bujqësisë, të cilat janë bazamenti i platformës së Fillimit të Ri”, ka thënë kreu i PDK-së sipas një komunikate të kësaj partie.