Arban Abrashi, LDK. Foto: Atdhe Mulla

A do të Ketë Rritje të Pensioneve?

Përfaqësuesit e koalicioneve të ftuar në debatin e sotëm #DebatPernime për shëndetësi dhe barazi sociale, thanë se pensionet duhet të rriten.

Sipas përfaqësuesit të koalicionit LDK- AKR, Arban Abrashi, gjatë qeverisjes së ardhshme nga ky koalicion pensionet do të rriten për rreth 40%.

“Po do të ketë rritje të pensioneve, rritja do të sillet rreth 40%. Viti i parë të pensioneve bazike do të jetë prej janarit të vitit tjetër. Atyre që ju kanë marrë pensionet do t’i kthehen pensionet nga Serbia. Kjo është paralelisht, do të ngrihet edhe në bisedime”, tha Abrashi.

Përfaqësuesi nga PAN-i, Talat Gjinolli, tha se rritja e pensioneve nuk është diskutuar por do të ketë rritje të pensioneve.

“Për vlerën e pensionit sa do të jetë s’e kemi bërë muhabet. Patjetër se pensionet do të rriten, do të ketë diferencë sipas shkollimit e përvojës së punës. Meqenëse përpiqemi të jemi shoqëri solidare do të kërkojmë përkujdesje për personat me aftësi të kufizuar”, tha Gjinolli.

Përfaqësuesi i SDA-së, Numan Baliq tha se pensionet bazike duhet të jenë 150 euro e për ata që kanë kontribuar 200 euro.

“Për një kohë të gjatë nuk është bërë dallimi mes pensioneve bazike dhe atyre të fituara me punë. Besoj se pensionet bazike duhet të jenë së paku 150 euro sepse pleqtë kanë nevojë për barna e trajtim. Pensionet që janë fituar me punë duhet të zgjidhen më në fund. Çdo pension nën 200 euro për ata që kanë punuar është ofendim”, tha  Baliq.

Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Mytaher Haskukaj tha se LVV-ja do ndryshojë sistemin pensional.

“Ne mendojmë se si LVV do të ndryshojmë krejtësisht sistemin pensional. Në aspektin e rritjes së pensioneve, pensioni bazik duhet të jetë 150 euro ndërsa kontributdhënës duhet të jetë 280 euro”, tha Haskukaj.

PDK mungoi edhe në Debatin e shtatë Pernime që po transmetohet në TV21.

Partia e Kadri Veselit po refuzon të dërgojë përfaqësues nëpër debate me subjektet tjera politike pasi po kërkon hapësirë më të madhe në debat për koalicionin në të cilin merr pjesë në zgjedhje (PDK-AAK-NISMA) në krahasim me subjektet e tjera pjesëmarrëse, LDK-AKR dhe Vetëvendosje.

Sonte në #DebatPernime, subjektet pjesëmarrëse debatuan për shëndetësinë dhe barazinë sociale.

Debatin mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: