Shaip Surdulli në Debat Pernime - Foto: KALLXO.com

Surdulli Ngre Padi Ndaj Zyrtares së Vetëvendosjes për Shpifje

Kandidati për kryetar të Komunës së Kamenicës, Shaip Surdulli, ka njoftuar se ka ushtruar padi ndaj ish-kandidates së Vetëvendosjes për Asamblenë Komunale të Kamenicës, Mirvete Rashiti, për shpifje dhe fyerje.

Padia, sipas Surdullit, ka të bëjë me një postim të të paditurës në “Facebook”, sipas të cilit ai kinse ka shkuar te qytetarët e komunitetit serb dhe u ka thënë të mos e votojnë kandidatin e Vetëvendosjes sepse ai është i biri i një terroristi dhe do t’iu përzë nga këtu.

Në një postim në profilin e tij, Shaip Surdulli thotë se fjalët si “terrorist” nuk gjejnë vend në fjalorin e tij në jetën e përditshme dhe për asnjë çmim nuk do t’i etiketonte apo të urdhëronte strukturat e LDK-së të bëjnë fushatë të tillë ndaj kundërkandidatit me këto terma.

“Prandaj, i demantoj të gjitha këto akuza dhe për këtë ju siguroj se do të mbetet vetëm një shpifje e inicuar nga radhët e Vetëvendosjes”, ka shtuar kandidati i LDK-së për balotazhin e 19 nëntorit.

Sipas padisë, si kompensim të dëmit moral, Surdulli kërkon 10 mijë euro dëmshpërblim.

Pas përhapjes së këtij informacioni, kandidati i Vetëvendosjes, Qëndron Kastrati, kishte pezulluar debatet e paralajmëruara televizive me rivalin e tij për kryetar të Kamenicës.

Kastrati nuk erdhi as në Debat Pernime.

Ndërsa, Shaip Surdulli në Debat Pernime tha se nuk janë të vërteta fjalët që i janë veshur atij se kinse e ka quajtur Kastratin “i biri i terroristit”.