Debat Pernime për Prizrenin. Foto: Atdhe Mulla

Si t’i Dilet në Krye Ngërçit në SHKA ‘Agimi’?

Kandidatët për kryetarë të komunës së Prizrenit, në Debat Pernime janë pyetur se si do t’i zgjidhin mosmarrëveshjet në Shoqërinë Kulturo- Artistike “Agimi” e cila ka disa muaj që funksionon me dy borde dhe dy drejtorë.

Veton Qipa nga Alternativa, tha se do të ndërtojë një qendër multi funksionale dhe më shumë hapësirë për ‘Agimi’-n.

“Ndërtimi një qendre multi funksionale, jo vetëm për SHKA Agimi po për të gjithë artistët. Në do t’i japim një vend të ri, ai vend është i ngushtë, por të gjithë artistët në Prizren kanë probleme të ndryshme, nuk ka vend në SHKA Agimi, hapësira është shumë e ngushtë”, tha Qipa.

Shaqir Totaj nga PDK tha se konfliktin mes bordeve në SHKA Agimin duhet ta zgjidhin vetë pjesëtarët e saj. Ndërsa premtoi 30% rritje të buxhetit.

“Aty ka pasur konflikt menaxhimi, zgjidhjen duhet ta bëjnë vet pjesëtaret e SHKA Agimi, konsideroj që pjesa artistike të ketë një përparësi. Për kulturë deri më tani ka pasur buxhet 1.2 milion ndërsa unë do të rris për 30%”, tha Totaj.

Nexhmedin Ramadani nga Fjala tha se do të investojë në sektorin e artit.

“Kultura sjell artistë e artistët janë ambasadorë. Unë sa i përket jo vetëm SHKA Agimi, por edhe të tjerët, kisha me i mbështet të gjithë shoqatat edhe ato kulturore. Do të investoj më shumë në këtë sektor”, tha Ramadani.

Mytaher Haskukuka nga Vetëvendosje tha se do të mundohet ta lehtësojë komumikimin mes pjesëtarëve të SHKA ‘Agimi’.

“Komuna nuk mundet me bo shumë për SHKA “Agimin” por mundet me e lehtësu komunikimin mes tyre”, tha Haskuka.

Hatim Baxhaku kandidati nga LDK, tha se do të krijojë një shoqatë për të lehtësuar bisedimet mes drejtorëve të SHKA Agimit.

“Nuk mund të themi se do ta rrisim buxhetin kur ai është i limituar nga qendrori. Buxheti do të ngritet ashtu si do rritet buxheti i Prizrenit ndërsa zgjidhjen për Agimin do ta gjejmë përmes krijimit të një shoqate publike civile, unë kisha qejf me ndërtu një ndërtesë për teatrin e qytetit ”, tha Baxhaku.