Visar Ymeri e Shpend Ahmeti. Foto: Facebook.

Shpend Ahmeti Jep ‘Premtimet e Zotimet’ për Mandatin e Ardhshëm

Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmeti, nuk pret që në një mandat të dytë eventual në krye të kryeqytetit do të ketë situata të bllokadës në asamblenë komunale çfarë janë parë në katër vitet e kaluara.

Ahmeti, që ka drejtuar Prishtinën që nga viti 2013, tha sot se pret që, nëse fiton, të ketë bashkëpunim më të madh me asamblistët e dy partive tjera, LDK e PDK.

Katër vitet e fundit, asambleja komunale e Prishtinës ka qenë e bllokuar në marrjen e vendimeve të mëdha meqë Vetëvendosje e Shpend Ahmetit nuk e ka pasur shumicën në asamblenë komunale.

Kësisoj, bashkëpunimi i pashpallur në opozitë mes LDK-së dhe PDK-së ka bërë që shumë vendime të mos mund të merren.

“Nuk besoj se do ta kemi një situatë të tillë, as për kryetar as për kuvend komunal”, tha Ahmeti të enjten në një konferencë për shtyp.

“Tashmë është e qartë që gati çdo parti, përfshirë edhe PDK-në- Lirak Çelaj na luste të bëjmë koalicion, na thoshte veç dy Drejtori, veç të hyjmë në koalicion me ju, Vetëvendosjen, por ka qenë qëndrim i yni që nuk hyjmë në koalicion me ato parti sepse ato duhet të qëndrojnë në opozitë edhe për t’u reformuar”, tha ai.

“Tashmë edhe LDK e ka pa dhe po e sheh çka është opozita për çdo ditë. Nuk janë mësuar këto parti për opozitë prandaj nuk mendoj se do ta kemi një situatë të tillë. Edhe LDK po e sheh çka është opozita”, shtoi Ahmeti.

Por ai tha se synon që Vetëvendosje të marrë më shumë përfaqësues në asamble komunale për të mos qenë e varur nga votat e partive tjera.

“Po kërkoj votën jo vetëm për kryetar por edhe për kuvend komunal”, tha Ahmeti duke i prezantuar premtimet e zotimet e tij dhe të VV-së në ditën e parë të fushatës për zgjedhjet e 22 tetorit.

Ahmeti kandidon për kryetar të Prishtinës në kërkim të mandatit të dytë.

“Nuk mendoj se dikush tjetër i ka 100 zotime. Duhet ta dëshmojmë se gjëra të mira mund të bëhen në Kosovë edhe me buxhet modest”, tha ai.

“Jepni krahë Prishtinës, mundësoni që Prishtina të zhvillohet”, porositi ai votuesit..

Në këto zgjedhje, Ahmeti po kërkon votën e prishtinasve me 10 premtime e 100 zotime.

Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, tha se Shpend Ahmeti është dëshmuar në punë në katër vitet e kaluara.

“Përmes Vetëvendosjes dhe Shpend Ahmetit tashmë është dëshmuar se ndryshimet jo vetëm që janë të mundshme por ato edhe bëhen shpejt. Për vetëm katër vite nën qeverisjen e Shpendit, Prishtina është bërë komunë kundër korrupsionit, komunë që i lehtësoi shërbimet për qytetarët dhe komunë që investoi proporcionalisht si në zonat urbane ashtu edhe ato rurale”, tha Ymeri.