Foto: Ramush Haradinaj/Facebook

Ramush Haradinaj Zotohet t’i Mbrojë Prodhimet Vendore

Kandidati i koalicionit PDK-AAK-NISMA për kryeministër të Kosovës, Ramush Haradinaj, u zotua se do t’i mbrojë prodhimet vendore në rast se votuesit ia besojnë drejtimin e qeverisë në zgjedhjet e 11 qershorit.

Këtë zotim, Haradinaj e bëri gjatë një vizite që i bëri kompanisë farmaceutike TrePharm në Sllatinë, bashkë me partnerin në koalicion parazgjedhor, kreun e PDK-së, Kadri Veseli.

“Jemi bërë bashkë për t’ia dhënë vendit një Qeveri që mund të marrë vendime të mëdha për vendin”, tha Haradinaj duke folur për koalicionin e lidhur me PDK-në.

“PDK dhe Kryetari Veseli, por edhe unë, AAK dhe Nisma, e kemi ofruar veten tonë për një vizion e fillim të ri për vendin, dhe ky është një projekt serioz. Qeveria që vjen, do ta mbrojë produktin vendor. Se ky përcaktim është i drejtë, u binda edhe sot në vizitën që i bëmë Fabrikës farmaceutike “TREPHARM” në Fushë Kosovë”, tha Haradinaj pas vizitës.