Bekim Jashari, kryetar i Skenderajt. Foto: Facebook.

Pse Nuk Erdhi Bekim Jashari në Debat Pernime?

Kandidati i pavarur për kryetar të komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, nuk mori pjesë në debatin të realizuar nga ‘Jeta në Kosovë’, edhe pse më herët e kishte konfirmuar pjesëmarrjen.

Në letrën që Jashari i ka dërguar moderatores së Debat Pernime, Jeta Xharra, ai mospjesëmarrjen e arsyeton me faktin se ”nuk është politikan”.

Në Debat Pernime të transmetuar mbrëmë në Radio Televizionin 21 debatuan vetëm tre kandidatë për Skenderajn ndërkaq Jashari dërgoi një letër në adresë të autores së debatit Jeta Xharra duke arsyetuar mungesën e tij.

Ai duke thënë se vlerëson lartë punën e bërë nga Xharra dhe debatet e ‘Jetës në Kosovë’ tha se në të ardhmen do të jetë plotësisht transparent ndaj këtij mediumi.

Më poshtë mund ta lexoni letrën e plotë të Jasharit drejtuar Xharrës:

“E nderuara znj.Xharra

Fillimisht të falëmnderoj shumë për ftesën për të marrë pjesë në debatin zgjedhor për Komunën e Skenderajt.

Unë qysh moti e ndjeku punën tuaj të shkëlqyer në gazetarinë hulumtuese dhe në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në politikë. Dhe shumë sinqerisht, besoj se si një lidere mediale dhe grua e suksesshme jeni frymëzim për një brez të ri të profesionistëve, dhe në veçanti të vajzave për të ndjekur shtegun e emancipimit, arsimit dhe ngritjës profesionale.

Megjithatë, më shumë keqardhje më duhet të refuzoj ftesën tuaj për arsye krejtësishtë objektive. Pasi që unë, nuk jam politikan, por jam një qytetar i dëvotshëm i Republikës së Kosovës, që i jam përgjigjur nevojës së qytetarëve të mi, për të qeverisur me Komunën e Skenderajt.

Qytetarët e Skenderajt, me të cilët jam duke u takuar çdo ditë – e dijnë fare mirë se unë jam plotësisht i përkushtuar të jem afër tyre. Andaj kërkoj mirëkuptimin tuaj, që në këtë fazë të pranoni vendimin tim.

Duke vlerësuar shume punën tuaj, dhe duke pranuar plotësisht përgjegjësinë time për transparencë dhe llogaridhënie si Kryetar në ardhje i Skenderajt, ju siguroj që do të bashkëpunoj me juve”.

Debatin e plotë për Skenderajn mund ta shikoni në këtë link.