Debat Pernime, Mitrovicë. Foto: Kallxo.com

Premtohet Punë për Mitrovicën

Kandidati i LDK-së për kryetar të Mitrovicës Safet Kamberi tha në Debat Pernime se do ta themelojë një fond punësimi për mbështetje të atyre që hapin biznese.

“Nga ky fond do t’i mbështesim gjitha ato biznese që kanë plan konkret për zgjerim kapaciteti dhe do t’i largojmë taksat komunale për të gjitha bizneset e Mitrovicës”, tha Kamberi.

Valdete Idrizi premtoi punë praktike njëvjeçare për të sapodiplomuarit e Mitrovicës dhe hapjen e Qendrës Inovative.

Ajo gjithashtu premtoi përkrahje të profileve që kërkohen në tregun e punës.

Fehmi Ferati nga Vetëvendosje Ferati tha se programi social-demokrat i Vetëvendosjes parasheh bashkëpunim me komunitetin në të mirë të zhvillimit ekonomik.

“Programi ynë parasheh luftimin e qasjes së zhvillimit ekonomik që ka ndodhur në Mitrovicë. Trepça ka shumë obligime ndaj qytetit por nuk bashkëpunon me qytetin”, tha Ferati.

Ai tha se programi i tij është i orientuar në turizmin lumor dhe malor.

Agim Bahtiri nga AKR fajësoi qeverinë e kaluar të koalicionit PDK- LDK për mosimplementimin e Zonës së Lirë Ekonomike për Mitrovicën.

“Kemi pasur përkushtim për zhvillim ekonomik. Kam aplikuar në qeveri që e tërë Mitrovica të shpallet zonë e lirë ekonomike, por pas marrjes së vendimit të qeverisë, erdhi qeveria tjetër e cila këtë zonë ekonomike nuk e bëri ligj këtë zonë ekonomike”, tha Bahtiri duke iu referuar periudhës pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014 kur partia e tij, AKR, nuk arriti ta kalojë pragun zgjedhor duke mbetur jashtë parlamentit.