Debat Pernime Foto: Atdhe Mulla

Polemika LVV- AAK për Mikrofonin e PDK-së në Debat Pernime

Shqipe Pantina, përfaqësuese e Lëvizjes Vetëvendosje, tha se mikrofoni i dedikuar Partisë Demokratike të Kosovës nuk iu duhet pasi që, sipas saj, kjo parti “ka mjaft prona të cilat ka uzurpuar”.

PDK-ja gjatë kësaj serie debatesh ka kërkuar hapësirë trefish më të madhe se LVV-ja dhe dyfish më të madhe se LDK-AKR-Alternativa, prandaj stafi i #DebatPernime ka vendosur që koalicionit PAN t’i vë përpara tre mikrofonë përderisa koalicionet e tjera kanë vetëm nga një.

“Disa herë po e thoni se ai është mikrofoni i PDK-së, PDK nuk e meriton të ketë një mikrofon ka uzurpu tashmë mjaft prona publike kështu që të paktën këtë mikrofon mos ua dediko atyre sepse kanë uzurpu boll”, tha Pantina.

Albulena Haxhiu, përfaqësuese e Lëvizjes Vetëvendosje tha se votat e qytetarëve të kërkuara nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, janë vota për siç i quajti ajo klanin Pronto.

“Vota për të cilën po e kërkojnë Besniku e Valdetja është votë për klanin Pronto le ta dijnë qytetarët e Kosovës dhe është gabim me bo hipokrizi, pasi Kadri Veseli është numër 1 në listën e juaj ju jeni pas tij, dmth votë për Klanin Pronto”, tha Haxhiu.

Ajo shtoi se përderisa po flasin për transparencë, kërkoi që të dijë se pse kandidati i koalicionit PAN nuk po debaton me kandidatët e tjerë për kryeministër.

“Po flitet për transparencë, a mundemi me e ditë pse kandidati për kryeministër i këtij koalicioni nuk doli në debat me Albin Kurtin pse, nuk doli”, tha Haxhiu.

Besnik Tahiri, përfaqësues i koalicionit PDK-AAK-Nisma, tha po kërkojnë vota për të vënë në krye të pushtetit kreun e subjektit të tij AAK-së.

“Nuk po kërkojmë votë për koalicionin Pronto por po kërkojmë votë për Ramush Haradinajn dhe për qeverinë që ka me kanë ma e mira në Kosovë. E dyta është mirë me in dal shpifjet sepse nuk qojnë askund vetëm në një debat jo parlamentar sepse na mundemi edhe me u gjujt me gur njanji- tjetrin pork y debat nuk i kontribuon temës që jemi këtu”, tha Tahiri.

Ai shtoi iu kundërpërgjigj Haxhiut, duke i thënë se arsyeja pse Haradinaj nuk ka pranuar të dalë në debat me kandidatët e tjerë për kryeministër është “shkaku i një vendimi gjyqësor”.

“Ramush Haradinaj kurdush i del në debat kujtdush edhe Albinit edhe Avdullahut edhe kujdon. Nuk kemi dal në debat pasi që ka pas një vendim  gjyqësor të cilën ne nuk e shkelim. Nuk kemi dal në debat sepse janë 7 televizione edhe të 7 kanë dal në debat kjo është e vërteta. Nuk kemi dal sepse s’kanë mujt me u marr vesh gazetarët”, tha Tahiri.

Albulena Haxhiu, u kundërpërgjigj se KPM nuk nxjerrë vendime gjyqësore.

“Është tepër e rëndësishme se kudo në vendet demokratike kemi parë ballafaqime të kandidatëve që kërkojnë votën dhe natyrisht se këtë e kemi kërkuar, fillimisht nuk ka vendim gjyqësor sepse KPM nuk nxjerr vendime gjyqësore. Ka pasur një vendim që është arsyetuar për mungesë në debatet kudo që ndodhin edhe ju kemi thënë caktojeni orën në cilindo televizion qoftë edhe në televizionin e RTK-së e cila është e kapur nga Klani Pronto por nuk kanë çka me prezantu”, tha Haxhiu.

Partia Demokratike e Kosovës ka munguar edhe në debatin e nëntë me radhë dhe të fundit tematik në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 11 qershorit.

Në debatin e sotëm Pernime të moderuar nga Jeta Xharra subjektet pjesëmarrëse diskutojnë për integritetin publik dhe përgjegjësinë politike.

PDK, si partia më e madhe në Kosovë në të gjitha zgjedhjet e pas shpalljes së pavarësisë, ka zgjedhur ta vë në pikëpyetje integritetin dhe përgjegjësinë e vet karshi rivalëve në garën zgjedhore dhe publikut.

Deri tani, PDK nuk ka marrë pjesë në asnjë nga debatet zgjedhore meqë ka kërkuar hapësirë më të madhe për koalicionin në të cilin merr pjesë me AAK-në dhe NISMA-n.

Kërkesa e PDK-së është vlerësuar e jashtëligjshme nga Komisioni i Pavarur për Media.

Debatin mund ta ndiqni drejtpërdrejt në linkun e mëposhtëm: