Shqipe Pantina - Foto: Atdhe MULLA

Pantina-Shatrit: A do të Nisni Luftën e Evazionit Fiskal në Oborrin Tuaj?

Deklarata e Haki Shatrit se nën qeverisjen e Ramush Haradinajt do ta luftojnë evazionin fiskal, bëri që Shqipt Pantina të kërkojë nga ai nëse do të nisë këtë luftë që në oborrin e tij.

“Do të doja ta pyesja nëse do të fillojë me liderët e koalicionit, ngase kam lexuar në media se Haradinaj e Limaj nuk e paguajnë tatimin në pronë. A do të nisni këtë luftë fillimisht në oborrin tuaj?”, pyeti Pantina.

Ndërsa  Shatri, përfaqësues i AAK-së, tha se ka pranuar të jetë në debat por jo të flas për gjëra personale.

“Unë po ju them se nuk jam udhëheqës i financave të familjes Haradinaj. Nuk kam ardhë me degradu këtë debat, me folë për sene personale. Në qoftë se buxheti rritet në vitin 21 duhet me u rrit 5 miliardë”, tha Shatri.

Shyqiri Bytyqi, përfaqësues i Nismas, tha se si subjekt politik nuk kanë detyrime tatimore.

“Nisma nuk ka detyrime për tatime. Tatimi në paga paguhet ashtu siç thuhet në rregulloren për punëtorë”, tha Bytyqi.

Ndërsa Driton Tali i VV-së tha se kjo nuk mund të bëhet pa reforma në drejtësi.

“Nuk mund të ketë luftim të evazionit fiskal pa bërë reforma në sistemin e drejtësisë e këta nuk e bëjnë se shefat nuk i lejnë se i atakojnë interesat e tyre. LVV e ka prioritet hulumtimin e atyre që punojnë në sistemin e drejtësisë”, tha ai.

Këto u thanë në “Debat Përnime”, me temë Mbushja e buxhetit, të moderuar nga Jeta Xharra, që po transmetohet në TV21.

Në këto zgjedhje PDK-AAK-NISMA më 11 qershor garojnë bashkë me 11 parti tjera më të vogla.

LDK garon në koalicion me AKR, ndërsa Vetëvendosje garon e vetme.

Në debatin e sontëm, të dytin me radhë, nuk ka marrë pjesë përfaqësuesi i PDK-së.