Vizita e Braathu në KQZ | Foto: KALLXO.com

OSBE-ja për Zgjedhjet në Veri Angazhon 220 Persona

220 pjesëtarë të Misionit të OSBE-së në Kosovë do të kujdesen që zgjedhjet në komunat veriore të Kosovës të shkojnë si duhet.

Numri i këtyre pjesëtarëve u bë i ditur në vizitën që shefi i misionit të OSBE-së Jan Braathu e bëri në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“Stafi jonë do të punojë me komisionarët komunalë të zgjedhjeve dhe Këshillat Komunale Zgjedhore në mënyrë që të sigurojë respektimin e rregullave të KQZ-së dhe ligjeve zgjedhore të Kosovës”, tha Braathu.

Ai teksa konstatoi bashkëpunim të mirë mes OSBE-së dhe KQZ-së, deklaroi se pret që këto zgjedhje të organizohen e zhvillohen më mirë se të kaluarat.

Edhe kryetarja Valdete Daka falënderoi OSBE-në për bashkëpunimin, duke thënë se nga ky bashkëpunim KQZ-ja është bërë institucion më i qëndrueshëm dhe më i përgatitur nga ana profesionale.

“Kanë mbetur edhe dhjetë ditë deri në ditën e zgjedhjeve dhe nga këtu mund të konfirmoj se pothuajse të gjitha punët e mëdha kanë përfunduar, në mënyrë që më 22 tetor të hapen dyert e të gjitha vendvotimeve anembanë Republikës së Kosovës”, tha Daka.

Daka ftoi të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të dalin të votojnë më 22 tetor, ndërsa e përsëriti rekomandimin që partitë dhe kandidatët t’u binden ligjeve, kushtetutës dhe kodit të mirësjelljes përgjatë fushatës dhe zgjedhjeve.

Ajo tha se më 22 tetor OSBE-ja do të japë përkrahje teknike për zgjedhjet në katër komunat veriore.

Këtë rol OSBE-ja e kishte edhe në zgjedhjet e 11 qershorit.