Tubimi zgjedhor në Prizren - Foto: LDK

Mustafa: LDK do ta Shpëtojë Prizrenin nga Katrahura

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë sot në Prizren se më 22 tetor qytetarët do t’i japë fund qeverisjes së keqe në Prizren, duke e zgjedhur Hatim Baxhakun kryetar të qytetit të traditës e të kulturës, qytetit të tolerancës e të mirëkuptimit.

“Kirurgu Hatim Baxhaku, me ndihmën e kandidatëve më profesionalë e më të përgjegjshëm për asamblistë dhe me programin e LDK-së, do ta shërojë Prizrenin nga plagët që ka marrë prej qeverisjes së papërgjegjshme e korruptive”, ka thënë Mustafa.

Ai u ka bërë thirrje komuniteteve turke dhe boshnjake që t’i bashkojnë votat me LDK-në, sepse, sipas tij, askush më shumë sesa LDK-ja nuk i respekton komunitetet dhe gjithë qytetarët dhe kjo është dëshmuar edhe me qeverisjen e LDK-së në nivel qendror.

Kryetari i LDK-së ka thënë se me qeverisjen e Baxhakut, Prizreni do ta bëhet qytet model i zhvillimit e integrimit, qytet i vlerave evropiane.

“Na duhet vetëm edhe pak angazhim për ta shpëtuar Prizrenin nga katrahura. Dilni të gjithë në zgjedhje, ta shndërrojmë 22 tetorin në datë të kthesës historike për Prizrenin. Ndëshkoni me votë ata që qeverisën keq. Mos i pranoni anarkistët e hipokritët. Zgjidhja më e mirë për Prizrenin është Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Hatim Baxhaku”, ka thënë Mustafa.

Ndërsa, kandidati i LDK-së për Prizrenin, Hatim Baxhaku, ka thënë se gjatë fushatës elektorale, ai dhe ekipi i tij kanë vizituar çdo pjesë të qytetit dhe të gjitha komunitetet e grupet e interesit.

“Programi ynë hasi në mbështetje të madhe, sepse ofron kthesën dhe ndryshimin radikal në qeverisje. Ndryshime që nënkuptojnë shkëputjen me korrupsionin, kriminalitetin, nepotizmin, injorancën, arrogancën, papërgjegjësinë dhe mungesën e llogaridhënies”, është shprehur Baxhaku.