Isa Mustafa në fushatë - Foto: LDK

Mustafa Fton Drenicën ta Provojë Qeverisjen dhe Programin e LDK-së

Gjatë një tubimi me qytetarët e Skenderajt, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka kërkuar nga banorët e Drenicës që në zgjedhjet e 22 tetorit ta provojnë qeverisjen dhe programin e LDK-së.

“Të gjitha komunat që janë qeverisur nga LDK-ja në katër vitet e fundit, janë dëshmuar për transparencë dhe qeverisje të mirë. Jam i bindur se përfundimisht edhe Drenicës i bën mirë një qeverisje e LDK-së. Ne gjithmonë e respektojnë verdiktin e qytetarëve, por jemi të interesuar që qytetarët e kësaj komune një herë të provojnë programin e LDK-së dhe nëse provojnë njëherë, besoj që do të vazhdojnë ta votojnë edhe më tutje”, citohet të ketë thënë Mustafa sipas një komunikate të LDK-së.

Ai ka thënë se kandidati i LDK-së për kryetar komune, Isa Fejzullahu, dhe kandidatët e tjerë për asamble komunale janë zgjidhja më e mirë për Skenderajn.

Ndërsa, kandidati për kryetar të Skenderajt, Isa Fejzullahu, ka thënë se programi i tij është i bazuar në nevoja qytetare për zhvillim ekonomik.

Ai ka premtuar administratë lokale të depolitizuar dhe bashkëkohore.

“Do të krijojmë lehtësira për ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Ne synojmë krijimin e një administrate publike efikase dhe transparente, ku fëmijët tanë të kenë një arsim cilësor të bazuar në metoda bashkëkohore”, ka thënë Fejzullahu.