Muharremaj e Asllanaj Tregojnë se a Japin Dorëheqje në Rast të Aktakuzës

Kandidatët për kryetar të Komunës së Suharekës në Debat Përnime kanë deklaruar se nuk do të japin dorëheqje në rast të ngritjes së aktakuzave ndaj tyre.

Kandidati i AAK-së, Bali Muharremaj, tha se ai do të jepte dorëheqje nëse do të dënohej.

“Kur ka dënim nga Gjykata do të jap dorëheqje, por jo nëse kam aktakuzë. Nuk e pres asnjë minutë vendimin e shkallës së dytë”, tha Muharremaj.

Njëjtë si Muharremaj deklaroi edhe kundërkandidati i tij nga radhët e LDK-së, Sali Asllanaj.

“Mendoj që me dhanë dorëheqje vetëm me aktakuzë me të vërtetë kishte me qenë pak çmenduri sepse potencialisht nuk e kemi një nivel të drejtësisë aq në nivel që me thanë. Nëse merret vendim prej shkallës së parë, s’ka vend për kryetarin aty”, tha Asllanaj, i cili shtoi se nuk ka besim shumë të madh në Prokurori.

Në zgjedhjet e 22 tetorit, kandidati i AAK-së, Bali Muharremaj dhe ai i LDK-së, Sali Asllanaj, morën më së shumti vota nga kandidatët që ishin në garë për të parin e Suharekës.

Muharremaj mori 39.92 për qind të votave, ndërsa kryetari aktual Asllanaj 34.01 për qind.

Votimet për balotazhin do të zhvillohen të dielën, më 19 nëntor.