Muharremaj e Asllanaj Nuk i Tregojnë Emrat e Drejtorëve

“Vendimi im i parë ka me qenë kërkesa prej ministrisë që të aprovojë buxhetin të cilin nuk e ka kaluar asambleja komunale në mënyrë që të mos humbin 1 milion e 300 mijë euro nga ky moskalim i buxhetit”, tha Sali Asllanaj, tha kandidati i LDK-së për kryetar të Suharekës.

Ndërsa kandidati nga AAK-së, Bali Muaharremaj tha se vendimi i parë i tij si kryetar i Komunës do të jetë zgjedhja e drejtorëve.

“Vendimi i parë do të jetë zgjedhja e stafit politik, nënkryetarëve dhe drejtorëve të drejtorive. Ka mundësi që do bëjmë konkurs publik për drejtorët e drejtorive”, tha Muharremaj.

Ai nuk ka pranuar të japë emra të drejtorëve ose nënkryetarit të mundshëm të Komunës.

Emra nuk ka dhënë as kandidati Asllanaj.

“Jo, më vjen keq sepse nuk kam emra me të dhanë sepse më duhen konsultime shtesë edhe do të shohim se si do të komponohet. Ne kemi përjashtuar koalicionet, por kjo s’do të thotë që s’do të bëjmë koalicione pas zgjedhjeve, që të funksionoj asambleja komunale”, tha Sali Asllanaj.

Në zgjedhjet e 22 tetorit, kandidati i AAK-së, Bali Muharremaj dhe ai i LDK-së, Sali Asllanaj, morën më së shumti vota nga kandidatët që ishin në garë për të parin e Suharekës.

Muharremaj mori 39.92 për qind të votave, ndërsa kryetari aktual Asllanaj 34.01 për qind.

Votimet për balotazhin do të zhvillohen të dielën, më 19 nëntor.