Bali Muharremaj

Muharremaj: Do t’i Punësoj 400 Persona me Kontratë mbi Vepër

Kandidati i AAK-së për kryetar të Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka dhënë një deklaratë interesante në Debatin Pernime, duke thënë se brenda mandatit 4 vjeçar do t’i punësojë 400 punëtorë me kontrata mbi vepër.

“Në mandatin e ardhshëm 4 vjeçar do t’i punësoj 400 punëtorë me kontratë mbi vepër. Parat do t’i gjejmë, pasi që kemi marrëveshje me një shoqatë joqeveritare, është shoqatë e huaja do të bashkëpunojmë më Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministrinë e Shëndetësisë”, tha Muharremaj.

Ai tregon se ku do të punojnë ata 400 persona.

“Në shërbime, në mirëqenie sociale e shëndetësi”, tha Muharremaj.

Ndërsa kandidati i LDK-së, Sali Asllanaj, tha se do t’i punësojë deri në 10 persona me kontrata mbi vepër.

Në zgjedhjet e 22 tetorit, kandidati i AAK-së, Bali Muharremaj dhe ai i LDK-së, Sali Asllanaj, morën më së shumti vota nga kandidatët që ishin në garë për të parin e Suharekës.

Muharremaj mori 39.92 për qind të votave, ndërsa kryetari aktual Asllanaj 34.01 për qind.

Votimet për balotazhin do të zhvillohen të dielën, më 19 nëntor.