Mimoza Kusari- Lila në Debat Pernime - Foto: KALLXO.com

Mimoza Kusari: Arrestimi i Anëtarit të Alternativës, Inskenim

Kandidatja e Alternativës për kryetare të komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari- Lila, e cilësoi si “të inskenuar” arrestimin e sotëm të një anëtari të kësaj partie nën dyshimin për dhënie të pakove të ndihmave për vota.

Adriatik Pulani dhe një i dyshuar tjetër u arrestuan sot në Gjakovë ndërsa ndaj tyre është caktuar masa 48 orëshe e ndalimit në polici.

Menjëherë pas kësaj, AAK në Gjakovë akuzoi Mimoza Kusari Lilën se është vënë në përpjekje për blerje të votave më19 nëntor kur Lila dhe Ardian Gjini i AAK-së do të përballen në balotazh për kreun e Gjakovës.

Por Mimoza Kusari, në reagimin e saj hodhi poshtë pretendimet e AAK-së.

“Ndalja pompoze e anëtarit të Alternativës Adriatik Pulani dhe reagimi i menjëhershëm i AAK-së lidhur me këtë arrestim tregon se hapat për këtë skenar ishin shumë mirë të koordinuar në mes të AAK-së, Policisë dhe prokurorisë themelore në Gjakovë”, tha Kusari Lila në reagimin e saj të postuar në Facebook.

“Se kapja e shtetit në Gjakovë ka ndodhur me politizimin e skajshëm të organeve të rendit u shpërfaq përmes inskenimit të arrestit të një prej aktivistëve të Alternativës”, shtoi ajo.

“Alternativa dhe shtabi zgjedhor i kandidatës për kryetare të Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, hedhë poshtë akuzat e AAK-së kinse antari ynë është zënë duke shpërndarë ndihma për familjet skamnore. Adriatik Pulani është ftuar në polici pa qenë fare i implikuar në çfarëdo procesi që mund të konsiderohet si “shpërndarje e ndihmave” dhe është ndalur pa ndonjë fakt i cili dëshmon kryerjen e veprës apo çfarëdo implikimi të tij në këtë rast”, tha ajo.

Kusari Lila i ka ftuar organet vendore e ndërkombëtare që “deri në detalin e fundit” ta hetojnë dhe ta zbardhin rastin, duke filluar nga inicimi i hetimeve nga policia, arrestimi e deri tek ndalimi 48 orësh i aktivistit Pulani.

“Alternativa si parti politike liberal – demokrate mbështet dhe zbaton parimet e zgjedhjeve të lira dhe demorkatike dhe asesi nuk pranojmë që kushdo të vërë njollë mbi procesin demoraktik të balotazhit në komunën e Gjakovës”, tha Kusari Lila.

“Ia rikujtojmë AAK-së, se blerja e votës, shantazhi dhe kërcënimi për votë mbesin praktikë e patentuar e tyre”, shtoi ajo.