Kryetari i Junikut Kërkon Përgjegjësi për Gjendjen e Çerdhes

Agron Kuçi, Kryetar aktual i Junikut megjithëse po garon për këtë komunë së bashku me drejtorin e tij të arsimit, nuk ishte i sigurt mbi gjendjen e një objekti të adaptuar si çerdhe në këtë komunë.

Në fotografitë e siguruara në hulumtimin e Debat Pernime është gjetur se objekti në fjalë përbën disa banjo jo funksionale që ndër të tjera paraqesin rrezik për mungesën e higjienës.

Kuçi i cili u shpreh skeptik për autenticitetin e fotografive tha se nëse kjo gjendje është faktike do të kërkoj përgjegjësi me kompetencat e tij si kryetar në largim.

“Ne akoma s’kemi çerdhe por gjatë mandatit e garantoj me shumë përgjegjësi të madhe. Sigurisht që kanë qenë fotografi të mëparshme .Do të përgjigjet dikush për atë gjendje”, tha ai.

Në anën tjetër, Drejtori i Arsimit në këtë komunë si dhe kandidat nga Partia Demokratike e Kosovës për Kryetar të Junikut, Fatos Shala tha fëmijët 3 deri në 5 vjeç që rrinë në këto çerdhe përdorin tualete të tjera.

“Toaleti që e keni incizu ju është jashtë funksionit, tualeti i këtyre fëmijëve  është i adaptuar për moshat e tyre”, tha Shala.

Megjithatë me këto konstatime nuk u pajtuan dy kundër kandidatët e tjerë të cilët dhanë premtimet e tyre për zgjidhje në këtë drejtim.

Sylë Gaxheri nga Lëvizja Vetëvendosje dha detaje tjera mbi problemet në këtë çerdhe të improvizuar.

”Çerdhja e fëmijëve është adaptuar dy herë janë dhanë pare për atë dhe që të dy herat ju ka ndërruar destinacioni. Punëtori që ka punuar aty, nuk ka qenë asnjëherë aty, bile edhe dritat i kanë lanë natën dhezë se skanë punuar e tash. Ato banjo aty kanë qenë ashtu”, tha Gaxherri.

Po ashtu, Tahir Isufaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se gjendja në këtë çerdhe është pasojë e neglizhencës së pushtetit lokal.

Katër kandidatët e Junikut dhanë po ashtu premtimet e tyre për ndërtimin e një salle të sportit në Gjimnazin “Kuvendi i Juniku” dhe për zhvillimin e drejtimit shkollor të turizmit dhe hotelerisë.