Kelmendi: Investitorët Kanë Qenë Viktimë e Haraçit Institucional

Në #DebatPernime kryetari i partisë Fjala, Gëzim Kelmendi, akuzoi qeveritë e kaluara e foli për prioritetet e partisë së tij në bujqësi e industri.

Kelmendi tha se këta sektorë kanë mbetur peng i krimit të organizuar e korrupsionit, e që ka rezultuar me mungesë të zhvillimit ekonomik. Sipas tij nga shteti janë stimuluar produktet e huaja, por jo ato vendore.

“Ne do t’u japim prioritet produkteve vendore, në treg vendor e më pas edhe në treg ndërkombëtar në mënyrë që t’i kthehet dinjiteti produktit vendor”, tha ai.

Kelmendi tha se ka pasur interes për investime në Kosovë, por se investitorët kanë rënë pre e krimit, shantazheve, e kanë qenë viktimë e haraçit institucional, derisa përfundoi se “ka ardhë koha që ne ta godasim këtë politikë të keqe”.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk ka sjellë përfaqësues të vet as në Debatin e sontëm Pernime që po transmetohet në TV 21.

Debati zgjedhor temë e të cilit është industria e bujqësia ka mbledhur përfaqësues të të gjitha subjekteve politike, përveç PDK-së.

Ky është debati i tetë me radhë në kuadër të fushatës zgjedhore që po bojkotohet nga PDK. Kjo parti po kërkon hapësirë më të madhe për vete dhe partitë që i mbledh në koalicion (AAK e NISMA), se sa subjektet tjera në garën zgjedhore, koalicionin LDK-AKR dhe partinë politike Vetëvendosje.

Komisioni i Pavarur për Media, javën e kaluar, kishte vlerësuar se kërkesa e PDK-së për hapësirë më të madhe në debat se subjektet tjera është e kundërligjshme.

Debatin mund ta ndiqni drejtpërdrejt në linkun e mëposhtëm: