Sencar Karamuço - Foto: Facebook

KDTP Dënohet me 300 Euro Gjobë

Subjekti politik Kosova Demokratik Turk Partisi (KDTP), dega në Prizren, është gjobitur me 300 euro nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Në vendimin e tij, PZAP e ka pranuar si pjesërisht të bazuar ankesën e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), i cili pretendonte se nga data 24 shtator në internet është duke u sponsorizuar një poster i kandidatit të KDTP-së për anëtar të Kuvendit Komunal që përmban gjuhë të urrejtjes, pasi që mbishkrimi në gjuhën turke mund të ndikojë në përçarjen mes komuniteteve.

Slogani “Miku i turkut është vetëm turku”, të cilin e përdor kandidati Sencar Karamuco bën thirrje për ndarje dhe mosbesim në mes të komuniteteve të tjera që jetojnë në Kosovë.

PZAP e ka refuzuar si të pabazuar pjesën e ankesës së KDI-së që kërkonte të detyrohej KDTP të distancohej publikisht nga kjo gjuhë nxitëse, me arsyetimin se kandidati i përfshirë në këtë ankesë ka deklaruar se personi i cili e ka bërë postimin nuk është simpatizues i subjektit të tij politik, dhe se përkundrazi ai ia keqëson gjendjen.

Po ashtu, Karamuco ka thënë se porsa është njoftuar për posterin pas ankesës së KDI-së  e ka kontaktuar personin që e ka publikuar atë dhe i njëjti e ka fshirë.

PZAP njofton se kundër këtij vendimi nuk lejohet ankesa dhe se subjekti detyrohet që ta paguajë gjobën në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi, nën kërcënim të përmbarimit.

KALLXO.com raportoi mbrëmë se edhe Lëvizja Vetëvendosje është gjobitur nga PZAP pas ankesës së BIRN dhe Internews Kosova për shkak të përdorimit të fëmijëve në fushatën e kandidatit për kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Ditë më parë edhe kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës Lirak Çelaj është gjobitur me 3.500 euro për të njëjtën shkelje të Kodit zgjedhor.

http://kallxo.com/pzap-denon-lirak-celajn/