Debat Pernime. Foto: Atdhe Mulla

 Integriteti i Kandidatëve për Deputetë me Aktakuza

Në Debatin për Integritet u fol edhe për integritetin e kandidatëve të partive politike të cilët janë në listë për deputet, por disa nga ta kanë të ngritura edhe aktakuza.

Nga koalicioni PAN, u përmend Fatmir Limaj si person me aktakuzë, por i cili mban numrin 4 si kandidat për deputet në listën e këtij koalicioni.

Besnik Tahiri i AAK-së tha se Limaj është njeriu më i persekutuar në Kosovë, pavarësisht aktakuzës, ai duhet të  zgjidhet.

“Kandidimin ja lejon ligji, ai duhet me garu edhe me fitu”, tha ai.

Në listën e koalicionit LDK-AKR është Naser Osmani në listë, i cili po ashtu ka të ngritur aktakuzë.

Reshat Nurboja i këtij koalicioni tha së është vetëm nji person në mesin e 110 emrave që ka aktakuzë. Ndërsa Arben Gashi shtoi se “nuk mujm me i paragjyku njerëzit që kanë aktakuza, pa u shpallë vendimet për me i eleminu ata politikisht”.

E partia që ka më së shumti kandidatë me aktakuza në listë, Vetëvendosje, duke nisur nga kandidati për Kryeministër Albin Kurti e disa deputetë të tjerë, tha se ato janë aktakuza politike.

“Nuk ka asnjë aktakuzë për korrupsion, ka aktakuza dhe ato janë politike. Unë mburrem me lotsjellësin ngase e kemi mbrojt sovranitetin”, tha Albulena Haxhiu.

Ndërsa Mirlinda Sopi e AKR-së u ndie më e liruar nga pyetja për aktakuzat.

“AKR nuk është e përfshirë në asnjë aferë”, tha ajo.

Partia Demokratike e Kosovës ka munguar edhe në debatin e nëntë me radhë dhe të fundit tematik në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 11 qershorit.

Në debatin e sotëm Pernime të moderuar nga Jeta Xharra subjektet pjesëmarrëse diskutojnë për integritetin publik dhe përgjegjësinë politike.

PDK, si partia më e madhe në Kosovë në të gjitha zgjedhjet e pas shpalljes së pavarësisë, ka zgjedhur ta vë në pikëpyetje integritetin dhe përgjegjësinë e vet karshi rivalëve në garën zgjedhore dhe publikut.

Deri tani, PDK nuk ka marrë pjesë në asnjë nga debatet zgjedhore meqë ka kërkuar hapësirë më të madhe për koalicionin në të cilin merr pjesë me AAK-në dhe NISMA-n.

Kërkesa e PDK-së është vlerësuar e jashtëligjshme nga Komisioni i Pavarur për Media.

Debatin mund ta ndiqni drejtpërdrejt në linkun e mëposhtëm: