Avdullah Hoti - Foto: Facebook

Hoti: Ligje për Konfiskimin e Pasurisë së Fituar Paligjshëm

Këto zgjedhje do të jenë një referendum për vendin dhe ne jemi ata që e çojmë Kosovën përpara, me njerëz me duar të pastra, tha sot në hapje të fushatës në Prishtinë kandidati për kryeministër i koalicionit LDK-AKR, Avdullah Hoti.

“Unë jam i nderuar që i prij kësaj liste me njerëz të shkolluar. Ky është ekip i vlerave dhe traditave shqiptare. Ata kanë njerëz në listë në bazë të interesave, ne kemi në listë ekspertë”, tha Hoti.

Ai po ashtu shtoi se programi i koalicionit është i qartë: për zhvillim ekonomik, punësim dhe të ardhura.

“Nga janari 2018 do të trefishojmë subvencionet për bujqit. Kemi program edhe për lehona që do të paguhen një vit me pagesë. Sigurime shëndetësore, shëndetësi primare. Program për investimet në Kosovën e Re, Trepçë, Brezovicë. Kemi në program edhe për rend dhe ligj. Ne do të nxjerrim ligje për konfiskimin e pasurisë që është fituar paligjshëm”, ka theksuar Avdullah Hoti.

Kandidati për kryeministër tha se koalicioni ka plan për integrimin e Kosovës në BE.

“Ne do ta bëjmë Kosovën të sigurt, ne do të gjejmë zgjidhje për demarkacionin me Malin e Zi. Dhe asnjë pëllëmbë tokë nuk do të humbet me Malin e Zi dhe nesër me Serbinë. Vetëm ky plan siguron heqjen e vizave”, shtoi ai.

“Ky koalicion do ta themelojë ushtrinë së bashku me aleatët, NATO-n dhe ShBA-të. Qeveria jonë do të kontribuojë për paqe dhe siguri në rajon. Neve na duhet mbështetje e qytetarëve sikur në kohën e Rugovës”, tha mes tjerash ai./TV21