Hoti: ‘Kosova A’ do të Dekomisionohet, ‘Kosova B’ do të Riparohet

Gjatë një vizite që i bëri të enjten Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë se programi i tij në fushën e energjisë parasheh dekomisionimin e termocentralit “Kosova A”, riparimin rrënjësor të “Kosovës B” dhe ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

“Unë sot jam këtu për të siguruar stabilitet të kësaj ndërmarrjeje. Nuk kemi ardhur për të premtuar rritje të pagës, sepse ai është vendim i menaxhmentit, por ne do të ofrojmë mbështetje të fuqishme teknike dhe financiare për të zhvilluar kompaninë dhe për të përmirësuar kushtet e punës”, ka thënë Hoti, sipas një komunikate të LDK-së.

Ai ka thënë se një nga detyrat prioritare në sektorin e energjisë dhe mjedisit do të jetë zhvillimi e përmirësimi i mekanizmave të nevojshëm rregullatorë dhe operacionalë për arritjen e cakut prej 25% të pjesëmarrjes së energjisë nga burimet e ripërtëritshme deri vitin 2020.

“Do të veprohet në nxitjen e mëtejme të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, në pajtim me potencialin, obligimin dhe nevojat, si dhe karshi zhvillimeve dhe përvojës evropiane. Do të përcaktohen modalitetet e investimeve për realizimin e rehabilitimit. Rehabilitimi i TC Kosova B do të bëhet pas hyrjes në operim të TC Kosova e Re”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se dekomisionimi i TC “Kosova A”, ose pjesëve të saj, do të bëhet pas studimit të alternativave të reja të gjenerimit plotësues, të kërkesave në tregun e energjisë elektrike dhe pasi të sigurohet furnizimi i qëndrueshëm me ndërtimin e termocentralit “Kosova C”.