Avdullah Hoti gjatë fushatës | Foto: Facebook

Hoti: Garantoj Qeveri me Duar të Pastra

Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR  Avdullah Hoti u zotua se qeveria e re do të krijohet nga njerëz të aftë, profesionalë dhe me duar të pastra.

“Në qeverinë që unë do ta drejtoj nuk do të ketë njerëz që kanë probleme me personalitetin e tyre, ose që kanë probleme me ligjin. U garantoj se do ta themelojmë qeverinë më profesionale që ka pasur ndonjëherë Kosova, qeveri me duar të pastra dhe zhvillim ekonomik dyfish më të madh, sepse askush më mirë se ne nuk di ta bëjë këtë punë”, tha Hoti.

Gjatë vizitës së tij në Komunën e Artanës ai vlerësoi se po e drejton një listë me njerëz profesionistë.

“Ne dimë si ta zhvillojmë ekonominë, si t’i rrisim pagat, si ta zhvillojmë biznesin ndershëm. Platforma jonë është më e mira dhe ne do ta zbatojmë me përpikëri. Ne do të kujdesemi që Kalaja e Novobërdës të jetë në hartat turistike të Europës dhe kjo pikë turistike të shndërrohet në qendër interesante për turistët, e nga kjo të përfitojnë qindra familje”, tha  Hoti.

Ai ka shtuar se ne kemi program të jashtëzakonshëm për mbështetje të fermerëve dhe bujqësisë e që kjo anë është shumë e mirë për këtë degë të ekonomisë.

Në anën tjetër Kryeministri në detyrë dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se ky koalicion ka çfarë t’i ofrojë qytetarit, sepse programi zgjidh shumë probleme me të cilat ballafaqohemi çdo ditë.

Bajrush Ymeri, kryetar i degës së LDK-së në Artanë tha se po u tregojnë  qytetarëve për dallimin në mes tyre dhe atyre që vendin e kanë çuar në shkatërrim.

“Vetëm dy vjet e gjysmë qeverisje nga akademik Isa Mustafa, u arritën rezultate konkrete dhe mirëqenia e qytetarëve filloi të përmirësohej, përkundër faktit se pati pengesa, protesta e koktej molotovi. Prandaj, kërkoj nga ju që të mobilizohemi sa më mirë dhe më 11 qershor të festojmë fitoren”, tha Ymeri.