Haxhiu: Kosovën do t’ua Kthejmë Qytetarëve

Lëvizja Vetëvendosje ka paraqitur elementet që sipas tyre e bëjnë këtë subjekt kredibil dhe ballëhapur për të kërkuar votën e qytetarëve më 11 qershor.

Albulena Haxhiu, përfaqësuese e këtij subjekti tha se LVV do t’ua kthejë Kosovën qytetarëve ashtu siç sipas saj kanë bërë me kryeqytetin.

“LVV është subjekti i vetëm që ka përfaqësuar  interesat e qytetarëve prej që jemi në institucione dhe më herët. Është i vetmi subjekt që paraqet përkushtim dhe vetëmohim. Prishtinën ia kemi kthyer qytetarëve të Prishtinës siç do t’ia kthejmë Kosovën më 11 apo 12 qershor. Me LVV qytetarët do të kenë pronësi publike mbi ligjin. Qeveritë e kaluara mos u kthefshin më”, tha Haxhiu.

Këto komente ajo i bëri në #DebatPernime, me temën e integritetit publik dhe përgjegjësinë politike që po transmetohet në RadioTelevizionin 21.

Lëvizja Vetëvendosje garon e vetme në zgjedhjet e 11 qershorit.

Partia Demokratike e Kosovës ka munguar edhe në debatin e nëntë me radhë dhe të fundit tematik në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 11 qershorit.

Në debatin e sotëm Pernime, të moderuar nga Jeta Xharra, subjektet pjesëmarrëse diskutojnë për integritetin publik dhe përgjegjësinë politike.

PDK, si partia më e madhe në Kosovë në të gjitha zgjedhjet e pas shpalljes së pavarësisë, ka zgjedhur ta vë në pikëpyetje integritetin dhe përgjegjësinë e vet karshi rivalëve në garën zgjedhore dhe publikut.

Deri tani, PDK nuk ka marrë pjesë në asnjë nga debatet zgjedhore meqë ka kërkuar hapësirë më të madhe për koalicionin në të cilin merr pjesë me AAK-në dhe NISMA-n.

Kërkesa e PDK-së është vlerësuar e jashtëligjshme nga Komisioni i Pavarur për Media.

Debatin mund ta ndiqni drejtpërdrejt në linkun e mëposhtëm: